Abbott për rastin e Klan Kosovës: Institucionet të mendojnë me kujdes për masat e radhës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se po e ndjek nga afër rastin e marrjes së licencës së biznesit për televizionin Klan Kosova nga Ministria e Tregtisë.

Ai thekson se po e vëren shqetësimin e përhapur tek shoqëria civile teksa u ka bërë thirrje institucioneve relevante që të mendojnë me shumë kujdes për çfarëdo mase të mëtejshme.

Abbott shton se duhet pasur parasysh implikimet më të gjera të një vendimi të tillë për lirinë e mediave në Kosovë.

“Jam duke e ndjekur nga afër rastin e Klan Kosovës dhe vini re se vendimi për licencën e tij të biznesit është ende objekt ankimimi. Po e vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe i bëj thirrje institucioneve relevante që të mendojnë me shumë kujdes për çfarëdo mase të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e medias në Kosovë”- ka shkruar Abbott në Twitter.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 14 qershor  ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Sot Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), do të mbajë një mbledhje ku ndër të tjera, pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i çështjes së televizionit Klan Kosova.

Ministria e Industrisë pezullon certifikatën e Klan Kosova SHPK