Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Kurti thotë se Serbia po përdor çështjen e targave për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare

Letrat ngjitëse të njohura ndryshe si stikera nuk do të përdorën më në kufijtë e Kosovës me vendin fqinj, Serbinë.

Kjo si rezultat i dy vendimeve që morën dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, për të lejuar qarkullimin e lirshëm të automjeteve në dy vendet duke mos i mbuluar simbolet shtetërore.

Vendimet sot u komentuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se veprimi i Serbisë duhet të lexohet vetëm si manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake.

Çështjen e lëvizjes së lirshme të automjeteve me targa RKS në Serbi, Kurti e lidhi edhe me zgjedhjet e 17 dhjetorit që u mbajtën në vendin fqinj.

Ai tha se “vetëdiciplinimi” i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik – sipas Kurtit nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar – mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike.

Madje Kurti tha se vendimi për targat u përdor edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së më 13 dhjetor, e edhe për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kurti kujtoi kronologjikisht situatat që solli çështja e targave në Kosovë, që nga shtatori i vitit 2021.

Ai tha se asokohe kjo punë përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit.

Targat kryeministri tha se sollën edhe 16 barrikadat, të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, të standardeve ligjore të BE-së që rregullojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve. Do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv” – tha shefi i qeverisë.

Ai tutje shtoi se në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, e mbajtur më 27 dhjetor, kishte kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024.

“Nga raporti i policisë sonë, e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa” – tha i pari i Qeverisë.

Kurti shtoi se bazuar në parimin e reciprocitetit, si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë u mor edhe vendimi që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë.

“Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare” – tha kryeministri i vendit.

Ai njoftoi se në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, do të njoftohen me kohë dhe do të veprojnë.

Kurti tregoi se kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve, por tha se ky vendim fillimisht vjen pas përdorimit dy vjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë.

Madje tha se tash së fundmi po përdoret edhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje, sidomos në Beograd.

Qeveria e Kosovës merr vendim për të mos vendosur letrat ngjitëse në targat e automjeteve serbe