Një automjet me targa të Serbisë i ka mbuluar simbolet shtetërore me letra ngjitëse, 4 tetor, 2021. Foto: Bujar Terstena, REL
Qeveria e Kosovës merr vendim për të mos vendosur letrat ngjitëse në targat e automjeteve serbe
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për largimin e letrave ngjitësve nga targat e automjeteve të qytetarëve të Serbisë.
Ky vendim vjen pas atij që mori Qeveria serbe për njohjen e targave të Republikës së Kosovës.
“Heqja e regjimit të letër ngjitësve/stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Nga 1 janari automjetet me targa të Kosovës janë lejuar të futen në Serbi pa i mbuluar simbolet shtetërore.
Njoftimi për qarkullim të lirshëm në Serbi të automjeteve me targa RKS e kishte bërë drejtori i Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë” – kishte thënë Petkoviq, sipas raportimeve të mediave serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se me këtë vendim, Qeveria e tij ka shmangur “grackat dhe rreziqet e mëdha” për vendin. Ai pati shtuar se ky vendim do të jetë në dobi të popullit serb dhe të Serbisë në tërësi.
Ky vendim ishte vlerësuar edhe nga Bashkimi Europian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e ka quajtur si hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve, vendimin e Serbisë për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova.
Mirëpo, ndryshe është parë ky vendim nga krerët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim i Qeverisë serbe duhet të lexohet si përpjekje e Serbisë për të ulur presionin perëndimor lidhur me parregullsitë në zgjedhjet e 17 dhjetorit, refuzimin e marrëveshjes bazë të Brukselit e dështimit në Banjskë më 24 shtator.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ky vendim nuk tregon konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është maskim, përmes të cilit duan të kamuflohen pas dështimit në Banjskë.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë. Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Për të ulur tensionet, më 30 shtator të po atij viti, me ndërmjetësim të BE-së, u arrit marrëveshja e përkohshme mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve.
Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3,405 qytetarë në veri kanë konvertuar targat e tyre në RKS.
Çështja e targave ka shkaktuar kriza në veri vitin e kaluar, që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.