Albin Kurti në Ohër

Kurti thotë se i dorëzoi BE-së një dokument me 8 nenet e Marrëveshjes së shkurtit që Serbia i ka shkelur

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i ka dorëzuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit për dialog, Mirosllav Lajçak, një dokument që, sipas tij, Serbia ka shkelur nene të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt.

Kurti tha se në atë dokument shihet se nga 11 nene të marrëveshjes Beogradi ka shkelur tetë.

“Me duhet të theksoj që dorëzova një dokument mbi atë se si nga 27 shkurti kur jemi pajtuar për Marrëveshjen bazë, Beogradi zyrtar e ka shkelur atë dhe nga ai dokument shihet qartë në mënyrë faktike se nga 11 nene, tetë prej tyre i ka shkelur Beogradi”- deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se po ashtu ka dorëzuar një dokument me deklarata të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas Kurtit, nuk është pajtuar me Marrëveshjen bazë si propozim evropian dhe se si nuk do ta zbatojë në tërësi.

“Gjithashtu kam dorëzuar një dokument në të cilin janë tri deklarata të presidentit serb se si ai thotë që nuk është pajtuar me marrëveshjen bazë si propozim evropian se si nuk do ta zbatojë në tërësi, andaj kisha nevojë për një garanci se kemi soliditet të procesit meqë kemi marrëveshje dhe kjo u tha nga ndërmjetësit se kemi marrëveshje dhe 27 shkurti në Bruksel dhe 18 marsi në Ohër kanë ndodhur”- theksoi Kurti.

Sot në Bruksel u mbajt takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër, më 18 mars, kur edhe u dakorduan për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kurti: Draft-statuti për Asociacionin është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën