Takimi i kryeministrit Kurti me Admiralin Stuart Munsch të NATO-s në Napoli, Foto: ZKM

Kurti takoi komandantin e NATO-s në Napoli, diskutuan për sigurinë e kufirit Kosovë-Serbi

Gjatë qëndrimit të tij në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet Konferenca e Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se mes tyre është diskutuar për situatën e sigurisë në vend me theks siguria e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas ZKM-së, Kurti ia ka bërë të ditur se ka komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it në Kosovë.

“Diskutuan për situatën e sigurisë në vend, me theks te siguria e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes me KFOR-in. Kryeministri Kurti tha se ka komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it në Kosovë, dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në synimin e saj për anëtarësim në NATO, duke veçuar faktin që Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje në përputhje me kriterin e NATO-s prej 2% të Bruto Produktit Vendor” – thuhet në njoftimin e ZKM-së të datës 16.02.2024.

Në njoftim thuhet se Kurti është shprehur falenderues ndaj admiralit Munsch dhe NATO-s për bashkëpunimin e afërt, kontributin aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se autorët e këtij sulmi ende janë të lirë në Serbi.

Mëngjesin e hershëm të datës 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur po ashtu të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletëarrestim për Radoiçiq.

Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

16.02.2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e INTERPOL-it.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Autoritet në Kosovë thonë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Europian ashtu edhe nga SHBA-ja, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.