Foto: ZKM

Kurti takohet me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ku është diskutuar për situatën politike ne vend e rajon dhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Kurti me kabinetin e tij priti ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Jacob Webber, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe Përfaqësuesin e Posaçëm dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas një njoftimi thuhet se në takim është folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon. Dy muaj pas fillimit të invazionit dhe agresionit të paprovokuar ushtarak rus ndaj Ukrainës, nevoja për bashkërendim të qëndrimeve dhe të veprimeve të botës demokratike kundrejt Federatës Ruse mbetet e domosdoshme”, thuhet në njoftim.

Kurti sot pasdite do të takojë edhe delegacionin amerikan që kanë ardhur në Kosovë.