Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe aktivistja e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak, Amina Nuraj. Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti takohet me aktivisten shqiptare në Sanxhak, bisedojnë për pozitën e shqiptarëve në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim aktivisten e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak, Amina Nuraj.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ata biseduan për pozitën e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht në Sanxhak, dhe për sfidat e vështirësitë e tyre.

“Kryeministri u njoftua mbi aktivitetet e aktivistes Nuraj në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës, identitetet dhe traditës shqiptare dhe avokimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi” – thuhet në njoftim.

Bashkë me Nurajn ishte edhe Granit Hyseni, i cili është zhvendosur atje për të studiuar.

Në njoftim thuhet se Kurti falënderoi Nurajn për kontributin e saj dhe i ka uruar punë të mbarë me rastin e hapjes së zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar.

Kjo zyre, siç thotë kryeministria, u hap të mërkurën. Gjatë kësaj ceremonie i pranishëm ishte edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Nevzad Lutfiu.

Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një memorandum me Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës që për qëllim ka përkrahjen financiare dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve.