Kurti s’i komenton deklaratat e Peter Stanos dhe BE-së për Asociacionin dhe akuzat e tij kundër Lajçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të deklarohet në lidhje me komunikatën e Bashkimit Europian, në të cilën kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe por as edhe të komentojë deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, akuzat e tij kundër emisarit për dialog, Mirosllav Lajçak.

Gazetarët kanë tentuar që të marrin një qëndrim nga Kurti por ai ka folur për projektin nëpërmjet të cilit 99 përfaqësues të bizneseve kanë nënshkruar kontrata për përkrahje nga Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Në ceremoninë e  nënshkrimit të kontratave, ku ishin Kurti dhe ministri Nenad Rashiq, nga organizatorë u tha që kryeministri për shkak të agjendës i duhet të largohet, duke mos pasur kështu mundësi gazetarët t’i bëjnë pyetje.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, i ka quajtur  të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, ishte në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

Stano në një konferencë për media ka thënë se Lajçak dhe Borrell kanë besimin e vendeve anëtare të BE-së si ndërmjetësues të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Së pari në lidhje me deklaratat e Z. Kurti ne nuk komentojmë komente, veçanërisht nëse ato përmbajnë akuza të pabaza”- tha Stano.

Kurse të martën, BE-ja përmes një komunikate për media ka theksuar se puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht.

Po ashtu, BE-ja në reagim shpreh shqetësimin për mungesën e angazhimit nga dy palët për zbatimin e marrëveshjes bazë dhe anekset të zbatimt të saj.

Dje në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha që Lajçak në takimin e 14 shtatorit ka qenë në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Në takimin e dytë atë trilateral me Vuçiqin, u ekspozova para një skenari të cilin zotëri Lajçak duket që e kishte dizajnuar kohë më parë” – tha Kurti në një konferencë për media.

Sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak kanë reaguar me të njëjtin mendim shpërfilljeje të koordinuar ndaj propozimit të tij.

Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takim i ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell dhe emisari Mirosllav Lajçak.

Takimi u përmbyll pa progres.

Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.

Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit…”.

Zëdhënësi i BE-së i quan ‘të pabaza’ akuzat e Kurtit për Lajçakun