Takimi i kryeministrit Kurti me senatorët amerikanë; Foto: ZKM.

Kurti senatorëve amerikanë: SHBA është aleat dhe partner i pazëvendësueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar katër senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Pete Ricketts, Chris van Hollen dhe Chris Murphy.

Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se gjatë takimit kryeministri Kurti tha se për Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe partner i pazëvendësueshëm.

Sipas këtij takimi, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe Rregullorja e Bankës Qendrore, mungesa e llogaridhënies për sulmin terrorist dhe paramilitar të datës 24.09.2023 në Banjskë dhe zbatimi i marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

“Kryeministri Kurti theksoi se rregullorja nuk e ndalon dinarin, por parasheh valutën euro si mjetin e vetëm të pagesës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe në të njëjtën kohë rrit transparencën financiare dhe zvogëlon mundësitë e financimit të aktiviteteve kriminale. Përveç kësaj, ai i njoftoi për periudhën tranzitore të përqendruar në informim më intensiv të publikut dhe lehtësimin e zbatimit të lehtësuar të rregullores”- thuhet në njoftim.

Së fundmi SHBA ka kritikuar Kosovën në lidhje me Rregulloren e re të BQK-së e cila përcakton Euron si valutën e vetme në Kosovë duke prekur kështu përdorimin e dinarit. SHBA bashkë me vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi që ka hyrë në fuqi më 01.02.2024.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha më 15.02.2024 se çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Më tej, në takimin me katër senatorët amerikanë, sipas ZKM-së, kryeministri Kurti ka përmendur rastin e konvertimit të targave në tabela RKS, si shembull të gatishmërisë së integrimit të serbëve të Kosovës dhe dëshmi të mirë të kapaciteteve të institucioneve kosovare për të mundësuar dhe lehtësuar çdo proces në shërbim të tij.

Po gjatë këtij takimi, Kurti ka kujtuar se gati pesë muaj pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit, autorët vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi. Mbi këtë fakt, kryeministri Kurti, bën të ditur ZKM, theksoi nevojën për llogaridhënie nga Serbia.

Mëngjesin e hershëm të datës 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur po ashtu të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletëarrestim për Radoiçiq.

Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

16.02.2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e INTERPOL-it.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Autoritet në Kosovë pretendojnë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Europian ashtu edhe nga SHBA-ja, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.