Policia e Kosovës në Zveçan, Foto:KALLXO.com, 26.05.2023

Kurti: Sa të ketë njerëz me maska në veri do të ketë edhe Njësi Speciale të Policisë atje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar tensionet të cilat kanë nisur që nga dita e premte në tri komunat në veri të vendit.

Kurti ka thënë se protestat atje nuk janë paqësore, duke shtuar se për këtë është vendosur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës atje.

Ai tha se deri sa në ato protesta dhe afër objekteve komunale të ketë njerëz me maska dhe të tillë që pikturojnë grafite, do të ketë edhe Njësi Speciale të Policisë.

“Të premten protestuesit thoshin “ubi, ubi!”  pra “vrite, vrite!”. Këto nuk janë protesta paqësore andaj është edhe Njësia jonë Speciale atje. Policia nuk i bën aksionet nga dëshira por nga obligimi. Nëse ato turma nuk do të ishin të dhunshme, nuk do të ishin me eksponentë kriminalë ne do të mund të zvogëlonim numrin e policëve në objektet komunale. Por përderisa ka turma të dhunshme, përderisa ka njerëz me maska, e që bëjnë grafitë me katër “S” dhe me shkronjën “Z”, përderisa ka turma që brohorasin për vëllazërimin ruso-serb dhe që kemi njerëz që hapur e adhurojnë Vuçiqin dhe Putinin, natyrisht që Njësia Speciale do të jetë në objektet komunale dhe jemi të obliguar që ta bëjmë këtë”- ka thënë Kurti në një intervistë në KTV.

30 ushtarë të KFOR-it u lënduan më 29 maj pas përleshjes me protestuesit serbë në Zveçan. Protestat në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq janë duke vazhduar.

Protestuesit kanë penguar dhe sulmuar dhe gazetarët.

Zhvillimet në veri – Vazhdojnë protestat