Protesta në Leposaviq, 1 qershor 2023, KALLXO.com

Zhvillimet në veri - Vazhdojnë protestat

18:59 – Kryetari Erden Atiq reagon pas sulmit ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj dy qytetarëve shqiptarë, të cilët u sulmuan sot nga persona të dyshuar  në pjesën veriore të Mitrovicës.

Atiq ka thënë se veprimet e tilla kriminale janë të papranueshme dhe të dënueshme.

“Akti i dhunës ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut, i shfaqur tashmë edhe përmes videos, shpërfaq veprimet e grupeve kriminale që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve për vite me radhë. Qyteti ynë u përket të gjithë qytetarëve dhe assesi bandave kriminale që tentojnë ta mbajnë dhunshëm kontrollin mbi të”- ka thënë Atiq.

Ai u ka uruar shërim të shpejtë dy të lënduarve, ndërsa ka thënë se pret zbardhjen e rastit nga organet kompetente dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë.

KALLXO.com publikoi pamje ekskluzive të sulmit ndaj dy qytetarëve shqiptarë në pjesën veriore të qytetit:

18:37 – Kërcënohet nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit

Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, ka raportuar në Polici se është kërcënuar.

Ajo ka kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës ndërsa ende nuk është hapur rast pasi që Miletiq rastin sapo e ka raportuar.

KALLXO.com mëson se e njëjta ka marrë disa mesazhe kërcënuese.

Dragana Miletiq është zgjedhur nënkryetare e Komunës së Leposaviqit, komunë kjo e cila tash drejtohet nga Lulzim Hetemi.

18:19 – Komandanti i KFOR-it viziton ushtarët italian të plagosur në Zveçan

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia ka takuar ushtarët italianë të plagosur në përleshjen me protestuesit serb në Zveçan.

Ristuccia është pritur nga kolonel Mario Bozzi në kampin italian në Pejë.

Ai u dëshiroi ushtarëve të plagosur shërimin të shpejtë ndërsa theksoi se nëse ata nuk do të ndërhynin do të kishte numër të madh të viktimave civile.

“Qëndroni për atë që keni bërë, keni vepruar pajtueshmëri të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke ndërhyrë vetem mes dy palëve të kundërta dhe parandalimin e një përplasjeje që sigurisht që do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile. Ne ju dëshirojmë shërim sa më të shpejt, shpreh krenarinë time që jam komandanti juaj”- u ka thënë Komandanti i KFOR-it.

KFOR-i përmes një komunikatë ka njoftuar se ushtarët e plagosur do të kthehen në Itali për “t`u rikuperuar”.

KFOR

17:57 Policia e Kosovës vazhdon të jetë prezente tek Ura e Ibrit

Policia e Kosovës po vazhdon të qëndroj në Urën e Ibrit në Mitrovicë.

Në fillim të kësaj ure, nga ana e jugut janë parë disa ekipe policore, përderisa në fund të urës po vazhdojnë të qëndrojnë karabinierët italian.

Sot gjatë ditës me dhjetëra qytetarë shqiptarë protestuan pranë kësaj ure për gjendjen e krijuar në veri dhe kanë kërkuar nga aleatët ndërkombëtar që të normalizojnë situatën në veri.

Protesta u shoqërua pa ndonjë incident, përderisa vetëm pak minuta pas shpërndarjes së turmës dy shqiptar u sulmuan nga disa qytetar serb në Mitrovicën e Veriut.

17:55 – KFOR vazhdon t’i mbaj në gatishmëri ekipet shtesë

Ekipet mbështetëse dhe shtesë të KFOR vazhdojnë të qëndrojnë në pika të ndryshme përgjatë magjistrales Mitrovicë e Veriut – Zveçan – Leposaviq.

Ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes raporton se pika e cila ka më së shumti ekipe mbështetëse është ajo te vendi i quajtur si “Dudi i Kershit” .

Nga aty qasja është shumë e lehtë për në Komunën e Zveçanit, aty ku pati më së shumti tensione por edhe ushtarë të lënduar e plagosur për shkak të përleshjes s protestuesve.

 

 

17:13 – Dërgohet një kamion me rezerva uji në Leposaviq

Një kamion me rezerva uji është dërguar në afërsi të Komunës së Leposaviqit, raporton ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes. 

Kamioni është sjellë për t’u shërbyer qytetarëve deri sa po qëndrojnë në ditë me diell para komunës për të protestuar në lidhje me siç thonë ata, uzurpimin që ka bërë kryetari Lulzim Hetemi Komunës së Leposaviqit.

Leposaviq, 1 qershor 2023 Foto: KALLXO.com

17:09 – Sveçla: Milicia fashiste vazhdon të sulmojë qytetarët e pafajshëm në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me sulmin ndaj dy qytetarëve shqiptarë të cilët u sulmuan sot nga persona të dyshuar në Mitrovicë të Veriut.

Sveçla tha se ata u sulmuan nga milicia fashiste e orkestruar dhe dirigjuar nga Beogradi.

“Milicia fashiste vazhdon të sulmojë qytetarët e pafajshëm në veri të vendit tonë. Dy qytetarë shqiptarë janë sulmuar brutalisht në sheshin e Mitrovicës së Veriut nga milicia fashiste e orkestruar dhe dirigjuar nga Beogradi”- ka shkruar ai.

Svçela tutje ka thënë se ky akt dhune dhe huliganesk duhet të dënohet ashpërsisht.

“Përgjegjësit kriminelë shumë shpejt do të vihen para drejtësisë. Këta milicë nuk do të mund ta minojnë rendin juridik dhe kushtetues të Republikës”- ka shtuar ai.

16:37 – Hovenier pas takimit më Kurtin: Nuk mund të them se ia kam ndryshuar qëndrimin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit më kryeministrin Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur t’ia ndryshoj Kurtit qëndrimin për situatën në veri.

Hovenier ka thënë se diskutimi më Kurtin ka qenë i mirë.

“Nuk mund të them se kam ndryshuar qëndrimin e kryeministrit i cili është i shprehur shumë publikisht, do të thosha që kemi pasur diskutim të mirë, më duhet ta përsëris qëndrimin e SHBA-ve se çfarë duhet të ndodhë e cila është se tani nuk e shohim nevojën që këta 3 kryetarë të punojnë nga objektet” – tha ai.

“Tani më janë disa pasoja të cilat i kam përmendur në situatën që tani jemi, shpresoj që do t’i kalojmë në mënyrë që të mos ketë më pasoja të tjera” – tha ai.

Ai nuk ka dhënë detaje nëse mund të ketë pasoja shtesë për Kosovën, pas atyre të së martës.

“Unë nuk jam në pozitë për të thënë se cilat janë, më duhet të them që SHBA është duke menduar se çfarë mjetesh të tjera kemi për të inkurajuar Qeverinë e Kosovës t’i bëjë gjërat që mendojmë se janë shumë të rëndësishme, e që është arritja e shtendosjes në veri” –  theksoi ai.

Ai shtoi se SHBA është e gatshme ta ndihmoj Kosovën për ta arritur shtensionimin, duke kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe Serbia.

16:33 – Pamje ekskluzive – Rrahja e dy shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut – VIDEO

Dy qytetarë shqiptarë u sulmuan fizikisht sot në Mitrovicë të Veriut, në hyrje të sheshit nga persona të dyshuar.

KALLXO.com ka siguruar pamjet të momentit të sulmit ndaj tyre dhe sjell videon ekskluzive.

Në momentet e sulmit, pak metra më larg shihen edhe karabinerët italianë, të cilët nuk ndërhyjnë ndonëse qytetarët sulmohen rëndë nga të dyshuarit.

Policia e Kosovës ndërkaq ka intervenuar në këtë rast.

Dy qytetarët shqiptarë pësuan lëndime nga sulmi dhe morën trajtim mjekësor.

16:17 – Todiq ripërsërit kërkesën që Lulzim Hetemi të largohet nga objekti komunal

Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq ka ripërsëritur sot se kërkesat e tyre për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqjen e njësive speciale dhe largimin e kryetarit aktual, Lulzim Hetemi nga objekti i komunës.

“Më 23 prill nuk ka dalë asnjë serb në zgjedhje. Jo vetëm serbët, nuk ka dalë asnjë rom, boshnjak e goran. Ne kemi dhënë dorëheqje sepse kemi pasë arsyet tona. Kërkesat tona para kësaj kanë qenë formimi I Asociacioni dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të policisë sepse njerëzit janë të frikësuar dhe nuk mund ta durojnë represionin dhe brutalitetin që e kanë përjetuar nga ana e njësive speciale. Kanë shtënë në njerëz, madje edhe gjatë kontrolleve rutinore në komunikacion e kanë bërë këtë me armë në fëmijë e gra”- ka deklaruar Todiq.

Todiq theksoi se Hetemi duhet të dalë nga objekti i komunës dhe të kthehet aty ku e ka marrë mandatin.

“Nuk kemi dhënë dorëheqje të të vijë z. Hetemi këtu ndërsa ai thotë se do të punojë në interes të këtyre njerëzve. Porosia ime për të dhe gjithë opinionin është që gjëja më e mirë që mund ta bëjë për këta njerëz është që të dalë nga ajo zyrë dhe të kthehet aty ku edhe e ka marrë mandatin dhe ne të gjithë t’i kthehemi jetës normale”- është shprehur Todiq.

“Nuk kemi asgjë kundër personalisht kundër shqiptarëve por nuk pajtohemi me vendime të njëanshme e të pakuptueshme të qeverisë së Prishtinës. Njerëzit këtu po protestojnë qetë por janë të vendosur që të rrijnë deri në përmbushjen e kërkesave”- shtoi ai.

15:54 – Ambasadori amerikan i shkon në zyrë Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i ka shkuar në takim të enjten kryeministrit Albin Kurti.

Nga Qeveria kanë thënë për KALLXO.com se bëhet fjalë për një takim javor.

Takimi i sotëm vjen pasi SHBA-ja e sanksionoi Kosovën me përjashtim nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

KALLXO.com do të sjell detaje në lidhje me takimin.

15:53 – Autoblindat dhe veturat e policisë që përcollën kryetarin Lulzim Hetemin në komunë, kanë mbetur ende në oborrin e këtij institucioni

Autoblindat dhe veturat e policisë që u përdorën për të përcjellë kryetarin Lulzim Hetemi nga fshati i tij Bistricë në komunën e Leposaviqit kanë mbetur të ngujuara tash e katër ditë në oborrin e komunës.

Kryetari Hetemi dhe disa ekipe të policisë janë po ashtu brenda objektit të komunës që katër ditë.

Disa prej ekipeve të policisë çdo 12 dhe 24 orë bëjnë ndërrimet e tyre, ndërsa kryetari deri më tash nuk ka tentuar asnjëherë të liroj këtë ndërtesë ani pse kërkesat prej serbëve u parashtruan çdo ditë.

Në Leposaviq gjatë ditës së sotme ka qenë një situatë e qetë.

Në mëngjesin e sotëm pati një numër të lartë të protestuesve.

Gjatë ditës numri ka rënë dhe shihet një numër i vogël i atyre që po qëndrojnë në disa çadra që i kanë vendosur tash e 4 ditë.

Gjatë ditës po ashtu një protestues kishte marrë një kafshë, një cjap dhe në trupin e tij kishte shënuar emrin e kryetarit të ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Protestuesi parakaloi me këtë cjap rreth 100 metra e që pati më pas një reagim nga ana e protestuesve të tjerë. Ata filluan të qeshnin e brohorisnin pasi panë këtë veprim.

Cjapi qëndroi për disa minuta i lidhur në pengesat që ka vendosur KFOR-i për të rrethuar oborrin e komunës e më pas u largua.

Gjatë të enjtes, për të ofruar siguri në këtë komunë, janë vendosur pjesëtarë të KFOR-it italian.

 

15:27 – Disa protestues po nënshkruhen në Zveçan – Qeveria dhe pjesëmarrësit japin versione të ndryshme

Disa qytetarë protestues në Zveçan janë duke hedhur nënshkrimet e tyre disa fleta që janë vendosur në një tavolinë në qendër të qytetit, ku janë vendosur telat me gjemba nga ana e KFOR-it.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kjo është një trysni që po u bëhet qytetarëve të komunitetit serb për të kryer veprime jashtë vullnetit të tyre.

“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë” – shkroi Sveçla në Facebook mes tjerash.

Mirëpo, qytetarët që kanë hedhur nënshkrimet i kanë thënë KALLXO.com se ata që po nënshkruhen janë zyrtarë komunale të Komunës së Zveçanit dhe se në këtë listë po nënshkruhen për të treguar se nuk po mund të futen në objektin komunal për të vazhduar punën e tyre.

Lista është vendosur para pengesave të KFOR para orës 07:00 dhe ende pa u bërë ora 07:30 ajo është larguar.

Dhënia e nënshkrimeve në Zveçan | Foto: KALLXO.com

Kjo listë është rikthyer sërish rreth orës 14 dhe disa persona kanë filluar të nënshkruajnë.

15:21 -Policia e Kosovës jep detaje për sulmin ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin ndaj dy shqiptarëve sot, të cilët kanë qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në Mitrovicë të Veriut.

Policia në një komunikatë për media thekson se “viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh” të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.

“Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës Veri. Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor”- njofton tutje Policia.

Pamje të ndjeshme: Fotografitë e viktimave të sulmit në këtë LINK. 

15:12 – Blinken sërish me thirrje për Kosovën dhe Serbinë për shtensionim të situatës në veri

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka përsëritur kërkesën e tij për Kosovën dhe Serbinë, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri.

“I ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”- tha Blinken para gazetarëve në Oslo të Norvegjisë.

Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.

“Ne e përkrahim procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Serbisë, por eskalimi aktual e pengon dhe nuk i ndihmon lëvizjet në atë drejtim”- theksoi sekretari amerikan.  

14:23 – Situata në veri, Kuvendi mban seancë të veçantë të premten

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër (e premte) do të mblidhen në një seancë të veçantë për të debatuar në lidhje me situatën në veri.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili tha se seanca është në pajtim edhe me kryeministrin Albin kurti, dhe do fillojë në ora 10:00.

“Nesër do të mbahet debat për situatën në veri. Është në pajtim me kryeministrin dhe në 10:00 fillon seanca”- ka thënë Krasniqi.

12:40 – Nis shpërndarja e qytetarëve që ishin mbledhur në Mitrovicë të Jugut

Dhjetëra qytetarë të cilët ishin mbledhur në sheshin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë të Jugut kanë filluar të shpërndahen.

Ata u grumbulluan sot gjatë ditës pas një thirrje që u shpërnda në rrejtët sociale, e që nuk dihet adresa se nga kush u ftua ajo.

Qytetarët po kërkojnë nga aleatet e Kosovës që të marrin masa dhe të kthejnë normalitetin në veri.

Në këtë marsh të shkurtër, ata janë dëgjuar duke kënduar këngë shqiptare patriotike për mos ndarjen e Mitrovicës.

Marshi po përcillet nga afër edhe nga Policia e Kosovës të cilët edhe kanë krijuar një kordon.

Ende nuk dihet se kush e ka organizuar këtë marsh, por policia ka filluar të bëjë hetime serioze për këtë organizim.

Policia e Kosovës në Mitrovicë të Jugut | Foto: KALLXO.com
Grumbulli i qytetarëve i mbledhur në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë të Jugut | Foto: KALLXO.com

 

12:20 –  Vazhdon grumbullimi i qytetarëve në Mitrovicë të Jugut

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë të Jugut në shenjë revolte për gjendjen e krijuar në veri të vendit.

Deri më tani ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush e ka organizuar këtë marsh protestë.

Qytetarët po kërkojnë nga aleatet e Kosovës që të marrin masa dhe të kthejnë normalitetin në veri.

Për këtë marsh janë mbledhur dhjetëra qytetarë të Mitrovicës Jugore.

Ata janë duke kënduar e protestuar derisa Policia e Kosovës është duke u mbajtur rregullin.

Ende nuk dihet se kush e ka organizuar këtë marsh, por policia ka filluar të bëjë hetime serioze për këtë organizim.

12:08 – Protestuesit në Leposaviq shkruajnë në trupin e një dhie mbiemrin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Në trupin e një dhie është shkruar mbiemri i kryetarit të Komunës se Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Protestuesit kanë marrë një dhi të bardhë dhe mbi trupin e saj kanë shkruar mbiemrin e kryetarit të Leposaviqit.

Me mbishkrimin “Hetemi” dhia është afruar në afërsi të rrethojave të objektit të komunës.

Dhia ka kaluar përmes protestuesve të cilët e kanë përcjellur me të qeshura e brohoritma dhe pastaj e kanë lidhur në pengesat e KFOR-it.

Dhia me mbishkrim “Hetemi” në Leposaviq, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

12:05 – Grumbull i njerëzve në Mitrovicë të Jugut, mblidhen pas thirrjes për marsh

Një grumbull njerëzish janë mbledhur në Mitrovicë të Jugut pas disa thirrjeve në rrjete sociale për marsh lidhur me situatën në komunat tjera në veri të Kosovës.

Policia gjatë ditës i ka paralajmëruar qytetarët se pjesëmarrja në këtë nismë është e rrezikshme për shkak se nuk dihen organizatorët, ndërsa ka paralajmëruar hetime edhe për ata që shpërndajnë në rrjetet sociale këtë thirrje.

Lidhur me këtë Policia ka nisur një  hetim serioz pasi dyshohet se u inicua nga jashtë.

12:03 – Situatë e qetë në Zveçan, plotësohet një kërkesë e Listës Serbe

Kërkesa e Listës Serbe që të vendosen pjesëtarë të KFOR-it edhe në fillim të rrugës në të cilën po mbahet protesta është plotësuar.

Qytetarët janë parë edhe sot duke i vazhduar protestat e tyre, në ditën e katërt prej kur ata po dalin pranë objektit komunal në Zveçan për të protestuar.

Sot protestueseve iu janë sjellë edhe disa karrige, përderisa dje u vendosën edhe disa tenda.

Në protestë janë parë edhe anëtarët e Listës Serbe, përderisa pjesëtarët e KFOR po vazhdojnë të mbajnë kordonin e tyre e pak metra afër tyre gjenden edhe pengesat e vendosura nga vet ky mision, e po ashtu edhe telat me gjemba.

Protestuesit gjatë protestave në Zveçan, foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.com, 01.06.2023

11:50 – Rritet numri i protestuesve në Leposaviq

Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahemeti raporton nga Leposaviqi se në këtë komunë ka filluar të rritet numri i protestuesve.

Siç shihet nga pamjet, protestuesit janë mbledhur afër objektit të Komunës, ndërsa aty janë edhe forcat e KFOR-it të cilët kanë vendosur pengesa me gjemba, për të ruajtur sigurinë.

11:31 – Pamje nga ura e Ibrit në Mitrovicë 

Gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj sjell pamjet aktuale nga ura e Ibrit, e cila ndan pjesën jugore dhe veriore të qytetit të Mitrovicës.

Pranë urës shihen forca të Karabinierëve italianë.

 

11:12 – Rritet numri i protestuesve në Leposaviq

Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahemeti raporton nga Leposaviqi se në këtë komunë ka filluar të rritet numri i protestuesve.

Siç shihet nga pamjet, protestuesit janë mbledhur afër objektit të Komunës, ndërsa aty janë edhe forcat e KFOR-it të cilët kanë vendosur pengesa me gjemba, për të ruajtur sigurinë.

Leposaviq, 1 qershor 2023 Foto: KALLXO.com
Leposaviq, 1 qershor 2023 Foto: KALLXO.com
Leposaviq, 1 qershor 2023 Foto: KALLXO.com

10:59 – Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

“NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo.

KFOR-i në veri, 29 maj 2023
Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

10:20 – Policia nis hetim serioz për protestën e paralajmëruar në Mitrovicë

Një burim i KALLXO.com brenda Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se një hetim është hapur për të zbuluar se kush është shkëndija e një paralajmërimi për protestë në Mitrovicën Jugore, sot në mesditë.

Ky burim i ka thënë KALLXO.com se ka dyshime se grupe të influencuara nga jashtë me profile të rreme kanë nisur protestën e paligjshme.

Sipas ligjit, protestat duhet të njoftohen në Polici për të qenë të ligjshme ndërsa deri më tani asnjë person nuk ka marrë leje për këtë protestë.

10:08 – Thirrjet për protestë në Mitrovicë, ministri Sveçla: Të dyshimta që po përhapen nga profile të dyshimta

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla  ka thënë se thirrjet për protestë për sot në Mitrovicë me synim marshimin drejt veriut, janë të panevojshme të dyshimta dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.

Sipas tij, këto thirrje po përhapen nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen e thirrjeve për protestë.

“Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”- ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve, ka shkruar ai, karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garanci e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit.

Edhe policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të injorojnë thirrjet për protestë në Mitrovicë.

Përmes një njoftimi për media, polica u ka bërë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë.

“Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në rrjetet social po qarkullojnë postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

 

08:46 – Policia e Kosovës mesazh qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti  Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

 

08:02 – Dita e katër e protestave në veri të Kosovës

Serbët në veri të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë. Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Serbët kanë paralajmëruar se protesta në këto komuna fillon nga ora 7:00 e mëngjesit.

Gjatë ditës së djeshme pati disa sulme ndaj gazetarëve dhe veturave të mediave të cilat janë dëmtuar nga persona të dyshuar.

Policia njoftoi se një polic është lënduar nga sulmet që i janë bërë veturave zyrtare të Policisë.

Tensionet në veri – Lëndohet një polic

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Kurti: Për aq sa do të ketë turma që sulmojnë nga jashtë, duhet të kemi policinë tonë në objektet komunale

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t`i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurti tha se Policia do jetë në veri, Blinken i kërkon tërheqjen e tyre

 

Zhvillimet në veri – Dita e tretë e protestave