Kurti dhe presidenti i KOK-ut mbjellin pemën olimpike për nder të Ditës Botërore të Sportit

Për nder të Ditës Botërore të Sportit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kanë mbjellë para ndërtesës së Qeverisë, pemën olimpike 2024.

Me këtë rast, Kurti u ka uruar suksese pjesëmarrësve nga Kosova në Lojërat Olimpike që pritet të mbahen në Paris, nga data 26 korrik deri më 11 gusht 2024.

Ai ka thënë se Kosova është shembull në terë globin që me dy pjesëmarrje në Lojëra Olimpike i ka të fituara tri medalje.

“E mbollëm pemën këtu në oborrin e qeverisë në prag të lojërave të ardhshme olimpike që do të mbahen në Paris nga data 26 korrik deri më 11 gusht, ku Republika e Kosovës merr pjesë me pesë xhudistë dhe një boksiere. Ju urojmë suksese sa më të larta. Kjo është pjesëmarrja e tretë e Kosovës në lojëra olimpike. Prej pjesëmarrjeve të mëhershme i kemi tri medalje. Kosova është një rast që nuk ka tjetër në krejt globin, që me kaq banorë sa kemi, me vetëm dy pjesëmarrje, të kemi tri medalje olimpike. Jemi të pashembullt”- është shprehur Kurti.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se simbolika e mbjelljes së pemës është shumë domethënëse.

“Sot, së bashku e mbollëm këtë pemë me domethënie të madhe për këtë ditë të sportit dhe mjedisit që të ruajmë sa më shumë mjedisin, ambientin. Të mbjellim sa më shumë pemë në Kosovë dhe t’i ruajmë ato që i kemi”- tha ai.

Pas lojërave në Paris, ai tha se fokusi do të jetë në lojërat në Los Angeles më 2028, e më pas në Lojërat Mesdhetare të cilat pritet të organizohen në Kosovë në vitin 2030.

Momentalisht, Kosova ka gjashtë norma olimpike, pesë nga xhudo dhe një nga boksi.

Lojërat Olimpike hapen më 26.07.2024. Garat nuk zhvillohen vetëm në Paris dhe zonën përreth, sepse lundrimi zhvillohet jashtë Marsejës ndërsa sërfimi në afërsi të Tahitit.

Lojëra futbolli, basketbolli dhe hendbolli luhen edhe në qytete të tjera franceze.