Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti pret studentë nga Vjena dhe Venediku, u flet për punën e qeverisë

Një grup të madh studentësh të nivelit master në Vjenë të Austrisë dhe Venedik të Italisë, që vijnë nga 30 vende të ndryshme të botës, u pritën sot nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, këta studentë po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një vizite studimore.

Sipas tyre, Kurti njoftoi ata me rezultatet kryesore të qeverisjes, reformat e ndërmarra dhe disa prej politikave kryesore të qeverisë.

“Këtu ai veçoi shtesa për nënat e reja dhe fëmijët si dëshmi e kujdesit institucional për familjen, platformën e punësimin për të rinj SuperPuna, vendimin për ta bërë arsimin e lartë falas për të gjithë dhe rritjen eksponenciale të numrit të bursave për studentë sidomos në fushat STEM, mbështetjen për komunitetet jo-shumicë në vend, vëmendjen e shtuar ndaj efiçiencës së energjisë si në shtëpi private ashtu edhe në biznese, dhe investimet në energjinë e ripërtëritshme” – thotë ZKM.

Pas prezantimit të Kryeministrit, studentët dhe profesorët e pranishëm kanë bërë pyetje dhe kanë zgjeruar diskutimin sipas fushave të tyre të interesit.

Studentët dhe profesorët u shprehën falënderues ndaj Kryeministrit Kurti për diskutimin e hapur.