Kurti për mocionin e LDK-së: Vështirësitë ma shtojnë vullnetin për punë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vështirësitë vetëm sa ia shtojnë vullnetin për punë, kur u pyet sot nga gazetarët për mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë.

“Unë jam kryeministër me vullnet dhe program, me dije dhe me përvojë të gjatë politike. Vështirësitë vetëm sa ma shtojnë vullnetin për punë. Parashikimet i bëjnë analistët, unë jam këtu që të punoj”, tha ai.

Kurti shtoi se në këtë fazë nuk do të duhej të shtohej edhe kriza politike.

“Është bindja ime që kësaj krize shëndetësore nuk duhet t’ia shtonim edhe krizën politike, por nuk mund të flas për të tjerët, mund të flas për veten si kryeministër”, tha kreu i ekzekutivit.

LDK dje në Kuvend e ka dorëzuar kërkesën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.