Kurti për letrën e Borrellit: Nga konsideratat e të tjerëve nuk mund të shndërrohem në shkelës ligji e Kushtetute

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar propozimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell për shtendosjen e situatës në veri të vendit.

Kurti në konferencën e sotme për media, tha që “për konsideratat e ndërkombëtarëve nuk mund të bëhet shkelës i ligjit”.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time për dialog, nuk kam se çka të them shtesë, kur ta caktojmë takimin, jam i gatshëm, në Kosovë zbatojmë ligj edhe kushtetutshmëri. Unë nga konsideratat e të tjerëve të cilët i dëgjoj me vëmendje nuk mund të shndërrohem në shkelës ligji e Kushtetute në Kosovë”- tha Kurti.

“Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, mirëpo në Kosovë ligj edhe kushtetutë. Sepse pa këtë ligj edhe kushtetutë as nuk do të mund të flisja e mendoj e  veproj këtu që po bëjmë nga kjo pozitë shtetërore”- theksoi ai.

Borrell në letrën e tij kërkoi që për veprimet tash e tutje në veri të koordinohet me KFOR-in e EULEX-in.

Kurti ka thënë se operacionet policore nuk janë punë as e tij e as e zyrtarëve evropianë.

“Jemi Republikë demokratike. As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetuese, njësisë që bën arrestimet, prokurorisë. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë si ju, sepse jemi republikë demokratike. I tillë ka qenë arrestimi i Llunës”- tha Kurti.

“Mirëpo, veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj e asnjë zyrtari evropian. Sundimi ligjit në Kosovë është çështje e Policisë së Kosovës. PK-ja ka kryer pa numër trajnime në vendet perëndimore, dhe atje kanë mësuar si nuk duhet lejuar të politizohen operacionet policore. Prandaj, nuk mund të bëj çfarëdo pazaresh në kurriz të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”- theksoi ai.

Kurti insistoi që 5-pikëshi i tij, është i duhuri për ta shtendosur situatën në veri, dhe për ta kthyer ligjshmërinë në atë pjesë.

“Për bindjen tonë të fuqishme, kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në Kosovë do të thotë kriminelët o në burg duke u përballë me drejtësinë o në Serbi prej nga disa prej tyre kanë ardhur. Vetëm kur kjo të ndodhë të kemi sundim të ligjit i cili i largohen këto trazira të dhunshme në mënyrë graduale dhe proporcionale do të mund ta zvogëlonim edhe na praninë e policisë sonë në këto ndërtesa”- tha ai.

Kurti pati edhe një sugjerim për faktorin ndërkombëtar, pasi që sipas tij nuk do të ishte e drejtë që Lulzim Hetemi të ‘ndëshkohet’ për mos daljen e serbëve në zgjedhje.

“Ndërkombëtareve ju sugjeroj të merren si u bë që Jabllanoviqi dy ditë para zgjedhjeve doli nga fushata, ai ka qenë fituesi i sigurtë, ne kemi qenë të gatshëm ta pranojmë”- tha ai.

Madje kryeministri Kurti theksoi se pjesëmarrja e Listës Serbe ka qenë premtim i ndërkombëtarëve për ta arritur pajtimin për aneksin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Më datën 17 mars, një ditë para aneksit në Ohër, neve faktori ndërkombëtar na ka premtuar, nëse bëhet ankesi i zbatimit në Ohër ne ju garantojmë që LS merr pjesë në zgjedhje, unë kam qenë i gatshëm që LS të3 marrë pjesë në zgjedhje për kundër asaj çfarë kanë thënë për mua LS e çfarë i kanë bërë republikës tonë”- theksoi Kurti.

Të martën, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se iu ka propozuar përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadorëve të QUINT- it një listë me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Si hap të parë, Kurti ka propozuar që sundimi i ligjit në komunat veriore të sigurohet që të krijohet menjëherë.

“Pika e dytë është që grupet e dhunshme tërhiqen nga territori i Kosovës. Pika e tretë Policia e Kosovës apo KFOR do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë. Pika e katërt Qeveria do të koordinohet me të gjithë aktorët për shpallje të zgjedhjeve, dhe pika e pestë që  Kosova dhe Serbia kthehen në dialogun e ndërmjetësues nga Bruksel. Udhëheqësit e dy shteteve takohem në nivel të lartë gjatë kësaj jave”- ka bërë të ditur ai.

5 pikëshi i Kurtit, është komentuar dje nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, i cili ka thënë se ky plan “dështon” t’i adresojë çështjet që shkaktuan trazirat në veri.

“Pavarësisht thirrjeve tona të përsëritura Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deri më tani ka dështuar të marrë hapa vendimtarë dhe veprime për shtensionim, propozimi i tij 5-pikësh dështon që në mënyrë adekuate t’i adresojë disa elemente kryesore që kanë provokuan këto kriza dhe presim t’i adresojë këto me masa vendimtare”- ka thënë Stano në një konferencë për media.

Në orët e pasdites dje, shefi i diplomacisë evropaine Josep Borrell planit të Kurtit ia hoqi 2 pika, por ia vendosi një kusht.

Si pikë e parë, ai ka thënë, se kryetarët e katër komunave veriore duhet që të punojnë nga lokacionet tjera, e që nuk janë ndërtesat e komunave.

Si hap të dytë ai ka përmendur tërheqjen e operacioneve policore të Kosovës në këto katër komuna, duke thënë që Njësia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet.

Ai gjithashtu ka thënë se pikë e tretë është që zgjedhjet në komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.

Ndërsa kushti të cilin Borrell ia vendosi Kurtit për të organizuar një takim të nivelit të lartë, është që Kurti të ndërmerr hapat e nevojshëm të shtensionojë situatën dhe të hap rrugën për zgjedhje të reja lokale.

“Siç e dini mirë, jam i gatshëm të thërras një mbledhje të nivelit të lartë me ju dhe presidentin Vuçiq nën parakushtin se ju jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm që fillimisht të depërshkallëzoni dhe hapni rrugën për zgjedhje të reja lokale. Përshkallëzimi është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni të gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt”- ka thënë Borrell në letrën drejtuar Kurtit pas 5 pikave të propozuara nga ai.

https://kallxo.com/lajm/borrell-ka-nje-kusht-per-kurtin-ne-menyre-qe-te-therras-takim-ne-bruksel/