Foto: ZKM

Kurti: Niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhje e sotme ka kritikuar punën e institucioneve të drejtësisë, teksa deklaroi se niveli i besueshmërisë së qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë është ndër më të ultit.

Kurti thotë se në raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare, sipas tij konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo efikase dhe e ngadaltë.

“Janë të shumta rastet që personat me precedent të shumtë penal lëvizin lirshëm që i rrezikojnë dhe i marrin jetën qytetarëve tanë. Edhe raportet e ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore. Nuk mungojnë edhe rastet më ekstreme madje tashmë edhe të njohura për publikun kur nga dënimi me burgim të përjetshëm të shqiptuar në shkallë të parë, instanca e fundit, Supremja kishte liruar tërësisht nga akuza të pandehurin në një proces maratonik gjyqësor të gjykuar dhe rigjykuar”- tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka përmendur rastin e vendimit për burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaçës për vrasjen e Marigona Osmanit. Kurti tha se është dashur të ngritet e gjithë shoqëria për vendimin e një dënimi meritor.

“Në shumë raste kur ndodhë një krim po duhet të ngrihet shoqëria për dënim meritor nga Gjykata. Shembull është rasti me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasjes të së ndjerës, Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. Pra u desht një shoqëri e një popull i tërë të dënojë publikisht krimin në mënyrë që Gjykata të nxjerrë një verdikt meritor”- tha ai.

Kurti u shpreh se niveli i besimit të  qytetarëve në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera.

“Niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera, kënaqeshmëri e qytetarëve për performancën e  sistemit të drejtësisë sipas raportit të Pulsit Publik është vetëm 29 % për qind. Andaj reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja, tash e 5 muaj jemi në pritje të Gjykata Kushtetuese ti hap rrugë jetësimit të kësaj reforme, e koha po kalon, koha që kalon është kohë e humbur”- tha kryeministri.

Gjykata Themelore e Ferizajt ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Margiona Osmanit, ndërsa Arbër Sejidu për vrasje të rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit u dënua me 15 vjet burgim.

Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta të ndjerën Marigona Osmani.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 2 gusht.

Në anën tjetër, Naser Pajazitajn, i  cili ishte i dyshuari i vetëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza.

Të pandehurit Gjykata e Apelit ia ishte zbritur dënimin nga burgim i përjetshëm në dënim me 35 vjet burgim.

Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit që e kishte ulur dënimin e Pajazitajt përbëhej nga Afërdita Bytyqi – kryetare, dhe Xhevdet Abazi dhe Tomisllav Petroviq – anëtarë.