Kurti: LVV i bëri 16 vjet, me parime e vizion të njëjtë

Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur të mbajë konferencë për media në 16-vjetorin e themelimit të saj, pikërisht në objektin ku kishin nisur aktivitetin në një shtëpi në lagjen “Pejton” në Prishtinë, objekt ky që tash operon si lokal gastronomik.

Kryetari i këtij subjekti politik, njëherësh kryeministër i Kosovës Albin Kurti tha se në këtë shtëpi, që tash është kafeteri, është formësuar identiteti i LVV-së, nga vitet 2005 deri më 2008.

“Në ato vite i diskutonim edhe për zhvillimet politike edhe planet për aksionet”, tha ai.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se rritja e këtij subjekti, që nisi si organizim qytetar, tani ka grupin më të madh parlamentar në historinë e Kosovës.

“Përveç që qeverisë me vendin, qeverisë edhe në tri komuna, Prizren, Mitrovicë e Podujevë”, tha Kurti.

Ai megjithatë ka thënë se edhe 14 shkurtin e këtij viti, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, nuk e shohim si një datë ku fituan, por si shans që u dha qytetari për betejën e zhvillimit të Kosovës.

“Ne duhet të jemi një hallkë e fuqishme në zinxhirin e pafund. Sot mund të themi me krenari që parimet e vizioni ynë është i njëjtë”, tha Kurti.

Konjufca: Po e kam të vështirë t’i drejtohem Albinit me kryeministër

Anëtari i Kryesisë̈ së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se e ka të vështirë t’i drejtohet me kryeministër bashkëpartiakut të tij dhe kryetarit të partisë Albin Kurtit.

“Me së vështiri po kam t’i drejtohem Albinit me kryeministër. Po me duket që me i thanë kryeministër është më pak sesa me i thënë Albin”, tha ai në konferencën e organizuar me rastin e 16-vjetorit të themelimit të LVV-së.

“Në ato kohëra, ka pasur më pak kravata, por besoj është sakrificë që ja vlen”, ka thënë Konjufca.

Ai e ka lartësuar LVV-në, duke e konsideruar si trashëgimi të dobishme të popullit të Kosovës.

“Njerëzit që janë bashkuar në LVV, janë qytetarët tipik të popullit tonë, që gjithmonë kanë qenë me halle dhe kanë pasur shumë probleme. LVV nuk ka pretenduar që po shpikë diçka të re”, tha Konjufca.