Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti i përgjigjet Ramës për ‘tokën e askujt’: Veriu është tokë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën ai i referohet veriut të vendit si ‘tokë e askujt’.

I pyetur për këtë deklaratë në Tiranë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se veriu është tokë e Kosovës.

“Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, dhe ne kemi nevojë për siguri në Kosovë, që do të thotë trupat e NATO-s në Kosovë të jenë në patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, me qenë se vija kufitare me Serbinë është 380 km. Policia e Kosovës është responderi i parë në rast të tensioneve dhe përpjekjeve për destabilizim, EULEX i dyti dhe KFOR i treti”- tha Kurti

“Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, integriteti territorial është i pacenueshëm, sovraniteti shtetëror mbrohet me qeverisje demokratike dhe me partnerët tanë do të kujdesimi për sigurinë kombëtare”- shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se NATO duhet të rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme mes serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon.

Rama, më 4 tetor, në një intervistë për “Financial Times” ka thënë se veriu i Kosovës ndër vite është bërë tokë e askujt.

“Kosova është një pikë e nxehtë”. [Veriu i Kosovës] është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”- pati thënë ai.

Rama për Financial Times: Veriu i Kosovës është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt