Kurti flet për takimin në Bruksel: Shpresoj që do të gjendet zgjidhja për veriun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se shpreson që të gjendet një zgjidhje për situatën në veri në kuadër të dialogut që po mbahet në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

“Unë uroj dhe shpresoj se do të gjendet zgjedhja atje. Ne e kemi shprehur gatishmërinë edhe me komandantin e KFOR-it të hënën, i cili dha propozim për heqjen e barrikadave dhe zëvendësimin e Njësive Speciale me trupa të KFOR-it”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova në parim e ka pranuar propozimin e KFOR-it, por Serbia e ka refuzuar.

“Për këtë dakordim jemi konsultuar edhe me Policinë e Kosovës. Neve na duhet të shikojmë cili është vlerësimi i Policisë për sigurinë. Ne kemi qenë dakord por Serbia e ka refuzuar propozimet e KFOR-it. Ne kemi pranuar edhe takimin në Bruksel edhe në parim jemi dakorduar me propozimin e gjeneral majorit, Franko Frederichi”, shtoi Kurti në një konferencë për media që mbajti bashkë me presidenten e Komisionit Evropian pas takimit që kishin.

Qysh më 20 shtator, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që ndodhen në këtë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë.

Për zgjidhje të kësaj situate, sot në Bruksel do të zhvillohen takime mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së.

Lajçak takohet ndaras me Bilsimin dhe Petkoviqin