Lajçak takohet ndaras me Bilsimin dhe Petkoviqin

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime të ndara me kryenegociatorët e dy palëve, Besnik Bilsimi dhe Petar Petkoviq.

Lajçak tha se temë e diskutimit në dy takimet ka qenë ‘zgjidhja e krizës aktuale’.

“Këtë mëngjes, pata dy takime të ndara me Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Më herët, zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar,  bëri të ditur se takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Edhe në ditën kur pritet të mbahen takimet në Bruksel, BE-ja ka përsëritur thirrjet që të ulen tensionet dhe të shfrytëzohet dialogu si platforma e vetme për të kërkuar zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.