Kurti e Gërvalla përcjellin qytetarët e parë që udhëtojnë pa viza në BE

Në ditën e parë të vitit dhe të liberalizmit të vizave për Kosovën, Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësja e tij, njëherësh edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz kanë uruar qytetarët për këtë të drejtë të fituar.

Ata përcollën qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza drejt Bashkimit Europian.

“Ky mëngjes nuk ka si të nis më mbarë” – tha Kurti në një konferencë për media, të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Kryeministri tha se në këtë ditë të rëndësishme po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po forcohet pasaporta kosovare.

Forcimi i dokumenteve të udhëtimit, siç tha Kurti është forcim i dinjitetit dhe identitetit të shtetit në arenën ndërkombëtare.

“Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme sot do të udhëtojnë për në qytetin e bukur të Vjenës, 50 qytetarë të cilët e fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës sonë informuese. Këtë të drejtë të fituar me vështirësi, duhet ta gëzojnë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat dhe kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë” – shtoi shefi i qeverisë.

Ministrja Gërvalla – Schwarz tha se shpenzimi i parave e i kohës për të siguruar dokumenta e për procedura, e pritjet jodinjitoze kanë marrë fund me ditën e sotme.

Qytetarët kosovarë nga sot do të mund të udhëtojnë në zonën Schengen, pa pasur nevojë për t’u pajisur me viza.

Ky vendim u nënshkrua më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.