Kurti e Çeku vizitojnë punimet për Festivalin e Këngës në RTK

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku kanë vizituar sot punimet në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë që po zhvillohen në  kuadër të organizimit të Festivalit të Këngës.

Kurti e Çeku kanë takuar ekipet që po realizojnë punimet për skenën, si dhe po finalizojnë përgatitjet për këtë ngjarje që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës – RTK.

“Duke theksuar rëndësinë e festivalit, drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, bëri me dije se janë plotësuar kushtet teknike për këngët pjesëmarrëse. Ai theksoi se orkestra që do të jetë e madhe, me afër 50 persona, përbëhet nga instrumentistët më të mirë që i kemi në Kosovë”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Festivali i Këngës “Fest 2023” realizohet për herë të parë në Kosovë si rezultat i një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me RTK-në.

Në skenën e festivalit do të performojnë 18 artistë për tri netët live në datat 26, 27 e 28 tetor 2023.