Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kur do të zgjidhet problemi me ujë të pijshëm? Tregojnë kandidatët për kryetar të Hanit të Elezit

Kandidatët për kryetar të komunës së Hanit të Elezit në DebatPernime kanë dhënë premtimet e tyre për zgjidhjen e problemit me ujë të pijshëm në këtë komunë

Kandidatët janë përgjigjur në pyetjet e qytetarëve për këtë problem.

Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se brenda mandatit do ta zgjidhë problemin me ujë nëse arrin ta marrë qeverisjen e kësaj komune.

“Çështja e ujit është bërë e tepërt me u diskutu. Ne kemi plan dhe mendojmë që në mandatin tonë 4 vjeçar çështja e ujit do të përfundojë”, ka thënë Ballazhi.

Rufki Suma, kandidat i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit ka thënë se aktualisht është duke u punuar për zgjidhjen e problemit me ujë të pijshëm në këtë komunë.

“Kemi eventualisht reduktime kur ka thatësi për ata që furnizohen nga Bifurkacioni. Sa i përket burimit tjetër tani është duke u punuar projekti e shumica e punës është kry dhe deri në fund të vitit do të kryhet dhe do të merret në menaxhim nga Bifurkacioni dhe besojmë se do të zgjidhet problemi”, ka thënë Suma.

Sherif Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se brenda tri vjetëve do ta rregullojnë problemin me ujë në këtë komunë.

“Në mandatin tim tre vjeçar do ta rregullojmë problemin me ujë në Han të Elezit”, ka thënë Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Hanit të Elezit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Hanit të Elezit: Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës, Rufki Suma, kandidat i Pavarur dhe Sherif Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit: Natyra Kalisi nga LVV, Nora Xhoni nga AAK dhe Sara Berisha nga PDK.