Foto: Faruk Nura/Facebook

Kryetari i Skenderajt njofton se kanë siguruar banesë për tre fëmijët e gruas së vrarë në Llaushë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se e kanë siguruar një banesë për banim tre fëmijëve të Lirije Qerimajt, 48-vjeçares e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti, Skender Qerimaj më 5 janar, në Llaushë..

“Tre fëmijë të mrekullueshëm me zemër të madhe, që po përjetojnë momente të vështira pas ngjarjes tragjike që u ndodhi ditë më parë, do të bëjmë gjithçka të mundshme që të mos ndihen kurrë të vetmuar”, ka shkruar Nura në Facebook.

Nura ka thënë se do të mbështesin tre fëmijët më të gjitha veprimet e nevojshme.

“Jo vetëm një banesë që mund të jetë më e pakta në këtë kohë, por do t’iu ofrojmë edhe ngrohtësi, si të ishim një familje biologjike, duke i mbështetur edhe me veprime të tjera të nevojshme që i kërkon jeta”, ka shkruar Nura në Facebook.

5 janar, 51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se vrau bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj në Llaushë të Skenderajt, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, më 1 janar, 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në polici për dhunën fizike që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skender Qerimi. Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare e cila është Stojanka Kasaloviq.