Kryeprokurori: Kallëzimet penale për të arrestuarit gjatë pandemisë do të hudhen poshtë

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqiri Syla shpjegoi se pse dosjet e personave të arrestuar pas masave të para të ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës do të hudhen poshtë dhe asnjë person nuk do të ndiqet penalisht.

Vendimet të cilat shpallen antikushtetuese sipas Sylës, personat për të njëjtat vendime që janë arrestuar nuk mund të ndiqen penalisht.

“Siç e dimë Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese këto veprime por nuk i ka anuluar pra i ka lënë deri më 13 prill, në raste të tilla sigurisht, prokurorët nuk do të merren me ndjekje personat që kan thyer rregullat pasi vendimet janë shpallur anti-kushtetuese.  Prokurorët do të hudhin kallëzimet penale dhe nuk do të i ndjekin qytetarët penalisht sepse nuk mund të dënohen njerëzit për veprime që i kanë marrë nga një vendim të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur vendimin anti-kushtuese”, ka thënë Syla.

Tutje Kryeprokurori Syla shpjegoi edhe rastet e hapura në Prokurorinë e Mitovicës.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka vepruar kundër të gjithë atyre që kanë thyer masat e vendosura nga qeveria. Kemi ndarë në dy kategori rastet, personat fizik që nuk respektojnë oraret e caktuara kemi konsideruar se është kundërvajtje ndërsa operatorët ekonomik që nuk veprojnë në bazë të dispozitave, rastet e tubimeve në vende publike në masë të madhe më shumë se pesë persona dhe në rastet kur një person është caktuar nga IKSHP për veteizolim ata përballen me vepër penale”, ka thënë ai.

Syla gjithashtu u pyet nga Drejtësia në Kosovë në lidhje me të drejtën e qytetarëve të arrestuar për tu kompensuar pasi vendimi Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar masat e qeverisë për kufizim të lëvizjes së lirë si antikushtetuese.

“Për fat të mirë nuk kemi pasur njerëz që kanë qëndruar gjatë në paraburgim, sepse ju e dini ata që kanë qëndruar më gjatë kompensimet janë më të mëdha, kjo do të i kushtoj por ja që të themi që ata që nuk kanë qenë në paraburgim nuk do të kenë arsye me bo një gjë të tillë”, tha ai tutje.

Në lidhje me hetimin e rasteve Kryeprokurori Syla tregon edhe se si ndahen ato.

“Kemi mbajtur mbledhjen e kolegjiumit diku 2 javë më herët. Rastet e mosrespektimit të qarkullimit shkojnë në kundërvajtje e rastet e tjera si vepra penale. Për të gjitha rastet që kanë të bëjnë rreth pandemisë, prokurorët i përgjigjen thirrjeve dhe ku kanë hasur veprime të tilla kanë hapur hetime dhe kanë ndërmarrë veprime. Asnjë rast i tillë nuk ka mbetur pa u trajtuar. Nuk kemi ende vendime të plotfuqishme hala sepse jemi në një kohë kur po punojmë me staf të vogël”, tha në fund Syla.

Në emisionin e sotëm në Drejtësia në Kosovë u sqarua çështja nëse do të ndiqen penalisht personat e arrestuar pasi shkelën vendimet për masat e para të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës ka shkelur edhe të drejtat dhe liritë për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Mbi 1 mijë persona të arrestuar sipas Policisë së Kosovës, nuk do të ndiqen penalisht nga ana e Prokurorive të rajoneve të ndryshme të Kosovës.