Kryeinspektori i Prishtinës publikon të dhëna private të qytetarëve

Kryeinspektori i Prishtinës, Florian Dushi në një postim në Facebook ka shpërndarë të dhëna private të qytetarëve.

Në një njoftim rreth aksioneve për gjobitjen e taksive, Dushi ka shprëndarë materiale ku lehtësisht mund të merren numrat e letërnjoftimit dhe fotografitë e letërnjoftimit të qytetarëve.

Brenda postimit i cili kishte disa fotografi, gjendeshin të fotografuara urdhëresa për ndëshkim me gjobë, ku në njërën prej tyre qartas shiheshin të dhënat personale të personit fizik të gjobitur, A.B., përfshirë: Emri, mbiemri, data e lindjes, vendi i lindjes, numri i telefonit dhe adresa e tij.

Kurse në fotografi të tjera shihen zyrtarë duke plotësuar shkresat e gjobave, por ku bashkërisht janë afishuar edhe letërnjoftime e leje të ngasjes të personave të dënuar, ku vetëm me sy të lirë mund të shihen fotografitë e personave në dokumentet zyrtare të identifikimit.

Veprime të tilla në vendin tonë janë të ndaluara sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ky akt juridik e përcakton si të dhënë personale çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm.

Sipas ligjit, një person fizik i identifikueshëm është ai, i cili, mund të identifikohet drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt, veçanërisht, përveç tjerash, në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes, ose një apo më shumë faktorë specifikë për identitetin social.

Të gjitha këto të dhëna të publikuara në postimin e kryeinspektorit.

E vetë procesi i përpunimit apo mbledhjes së të dhënave i nënshtrohet disa parimeve.

Veçanërisht Parimit të Kufizimit të Qëllimit i cili saktëson se: Të dhënat personale grumbullohen vetëm për qëllime të caktuara, të qarta dhe legjitime dhe nuk mund të përpunohen më tutje në kundërshtim me këto qëllime.

Në kuptim të ligjit publikimi i mëtutjeshëm i të dhënave në këtë rast, pas shfrytëzimit të tyre për të plotësuar shkresat e nevojshme, është jolegjitim.

Mbledhja dhe publikimi i të dhënave duhet t’i nënshtrohet posaqërisht një kushti shumë të rëndësishëm e që është pëlqimi i qytetarit të dhënat e të cilit publikohen.

Megjithatë ligji e arsyeton mungesën e pëlqimit nëse mbledhja edhe publikimi i të dhënave bëhet për kryerjen e një detyre me interes publik ose për ushtrimin e autoritetit zyrtar që i është dhënë kësaj radhe inspektoriatit. E që në këtë rast i referohen pikërisht shqiptimit të gjobës, por jo edhe postimeve në Facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar kryeinspektorin Dushi në lidhje me këtë rast, duke u interesuar të dijë procedurën apo arsyetimin e ndjekur për të realizuar një publikim, përkatësisht një shkelje të tillë, por i njëjti ka insistuar se të dhënat personale nuk duken.

“Të dhënat personale nuk duken, por vetëm dokumentet si të tilla, kjo për shkak të distancës dhe kthjelltësisë së fotove që ne i bëjmë qëllimisht të tilla” – thuhet në përgjigjen me shkrim të dërguar përmes telefonit nga Florian Dushi.

Foto: Florian Dushi/ Facebook
Foto: Florian Dushi/ Facebook

*Të dhënat në fotografi janë mbuluar nga KALLXO.com, për ruajtjen e identitetit të qytetarëve