Aksion i Inspektoratit ndaj transportuesve ilegal në kryeqytet - VIDEO
Inspektorati i Komunës së Prishtinës edhe sot ka zhvilluar një aksion në zonën afër stacionit të autobusëve
Ky aksioni ka të bëjë me vendosjen e rendit në linjat ndërurbane. Inspektorati gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar nga Policia. Linjat ndërurbane vazhdimisht janë futur në qytetin e Prishtinës pa pasur të drejtë.
Florian Dushi, drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin e sotëm.
“Një aksion që është duke vazhduar mund të them është java e dytë që jemi në inspektim të këtyre zonave përreth stacionit të autobusëve duke përfshirë edhe lagjen Dardania. Sepse siç e dini përveç shprehive që autobusët të mos futen në stacion por të ndalen në zonat përreth. Kemi edhe disa praktika që janë ndjekur nga një pjesë e kombibusëve të cilët janë ndalur ose janë parkuar dhe kanë pritur e kanë marr udhëtarë në dy a tri zona së paku këtu në Dardani. Prandaj jemi krejt kohën duke u angazhuar, kjo ka për qëllim në një far forme që pas shumë viteve të vendoset një rend, të vendoset një rregull, sa i përket funksionit të linjave ndërurbane përgjithësisht dhe eliminimin e transportuesve ilegal të udhëtarëve qofshin ata autobusë, kombibusë, apo edhe taksistë e vegjël”, tha Florian Dushi, drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit.
Dushi gjithashtu ka treguar edhe për konfiskimet e inspektoratit në mëngjesin e sotëm.
“Ka pas disa konfiskime të targave prej mëngjesit madje ka pas konfiskim edhe të veturës në një rast mund të them se është evituar në masë të madhe ajo shprehi, por, megjithatë me gjasë ka edhe të tillë që për interesa të operatorëve them kushtimisht vazhdojnë mos të respektojnë rendin e përcaktuar të udhëtimit”, tha Dushi.
Aksioni i sotëm është vazhdimësi i aksioneve të javëve të fundit të ndërmarra në qytetin e Prishtinës nga Drejtoria e Inspeksionit.