Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna deklaroi gjobë deri në 500 euro për rrugën ‘Xhorxh Bush’, policia shqipton nga 40 deri 150 euro

Nga 13 janari  është hapur për qarkullim të autobusëve, taksive dhe automjeteve emergjente rruga ‘Xhorxh Bush’ në kryeqytet, e cila u mbyll gjatë festave të fundvitit, me qëllimin që më pas të shndërrohet në shesh.

Komuna e Prishtinës atë ditë bëri të ditur se shoferët me makina private që hyjnë në atë rrugë do ndëshkohen deri në 500 euro, por sipas policisë, gjobat shkojnë nga 40-150 euro.

“Gjoba është sipas ligjit mbi komunikacionin rrugor, për  mos respektim të shenjave të trafikut, 40 euro ndërsa tejkalimi i vijës së plotë  150 euro  dhe konfiskimi patentë shoferit për 3 muaj. Në hyrje të rrugës ‘Xhorxh Bush’, policia ka dy patrulla me qëllim të marrjes së masave preventive si dhe ato të ndëshkimit për ngasësit që nuk respektojnë shenjat e trafikut”- thuhet nga policia.

Tutje, policia bëri të ditur se ndëshkimet tjera që janë përmendur nga komuna, shkojnë sipas rregullores së kuvendit komunal, të cilat i zbatojnë inspektorët komunal.

Derisa, Drejtori i inspekcionit në komunë, Florian Dushi për Kallxo.com ka deklaruar se inspektorët komunal nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë pasi kjo është përgjegjësi e policisë.

“Inspektorët e rendit komunal nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë për shkak se mosrespektimi i shenjave të komunikacionit është përgjegjësi e policisë së Kosovës për të shqiptuar gjoba”- ka deklaruar Dushi.

Dushi nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me deklarimet e komunës se do ketë gjobë deri në 500 euro dhe konfiskim të patent shoferit për një vit për makinat private që hyjnë në atë rrugë.

Policia po ashtu nuk ka bërë të ditur numrin e gjobave të shqiptuara në këtë rrugë. Në raportin e fundit policor thuhet se në 24 orët e fundit në gjithë vendin janë shqiptuar 1,416 tiketa trafiku.

Në fillim të rrugës ‘Xhorxh Bush’ është vënë tabela që njofton për pjesën ku është shesh dhe pjesën për qarkullim, dy korsitë në anët skajore janë për qarkullim, derisa ato në mes për këmbësorë, të cilat pritet të shtrohen kalldrëm.

Komuna ka ndarë ty trasetë e kësaj rruge me vijë të verdhë të pandërprerë, derisa policia po ndalon makinat private për qarkullim në atë zonë.

Shndërrimi i kësaj rruge në shesh është pjesë e planit të moblilitetit për Prishtinën.

Gjobë deri 500 euro dhe konfiskim i patentë shoferit deri një vit për shoferët që hyjnë në rrugën ‘Xhorxh Bush’