Kriza në Ukrainë: NATO dëshiron ta 'tërheqë' Ukrainën në aleancë, pohon ministri i Jashtëm rus, Lavrov

Diplomacia intenzive ka vazhduar edhe gjatë fundjavës në një përpjekje për ta shmangur një luftë në Evropën Lindore.

Presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi se trupat amerikane “do të zhvendosen” në vendet e NATO-s të Evropës Lindore “në një afat të afërt” pasi zyrtarët rusë deklaruan vazhdimisht se nuk do ta nisin një luftë në Ukrainë.

Megjithatë, Moska paralajmëroi se SHBA dhe NATO kanë injoruar kërkesat e saj dhe kanë lënë pak hapësirë për kompromis në këtë krizë, me ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov duke akuzuar aleancën ushtarake të Atlantikut të Veriut se po vepron në një mënyrë fyese.

Përpjekjet urgjente ndërkombëtare po bëhen pasi mbi 100,000 trupa ruse janë grumbulluar pranë kufirit të Ukrainës dhe administrata e Presidentit Biden është e shqetësuar se Kremlini do ta kryejë një lloj pushtimi brenda javësh.

Lavrov: Zgjerimi i mëtejmë i NATO-s përbën kërcënim

Ministri i Jashtëm i Rusisë pretendoi të dielën se NATO-ja dëshiron ta tërheqë Ukrainën në aleancë, mes tensioneve të përshkallëzuara për zgjerimin e NATO-s dhe frikës se Rusia po përgatitet ta pushtojë Ukrainën.

Duke komentuar në televizionin shtetëror, Lavrov sfidoi gjithashtu pretendimin e NATO-s për të qenë një strukturë thjesht mbrojtëse.

“NATO “tashmë është afruar me Ukrainën. Ata gjithashtu duan ta tërheqin këtë vend atje”, tha Lavrov. “Edhe pse të gjithë e kuptojnë se Ukraina nuk është gati dhe nuk mund të japë asnjë kontribut në forcimin e sigurisë së NATO-s”.

Lavrov gjithashtu vuri në pah pretendimin e Rusisë se zgjerimi i NATO-s është një kërcënim sepse ajo është përfshirë në veprime sulmuese jashtë vendeve anëtare të saj.

“Është e vështirë ta quash atë defenzive,” tha Lavrov. “Mos harroni se ata […] pushtuan Libinë, duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se si u sollën në Afganistan”.

Rusia e ka kundërshtuar prej kohësh mundësinë e anëtarësimit të NATO-s për vendet që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik ose ishin në sferën e tij të influencës si anëtarë të Paktit të Varshavës.

Ukraina ka kërkuar anëtarësimin në NATO prej vitesh, mirëpo çdo perspektivë për t’u bashkuar duket e largët, ndërkohë që ky vend përpiqet të gjejë stabilitet politik dhe të luftojë korrupsionin.

SHBA dhe NATO kanë refuzuar zyrtarisht kërkesat e Rusisë për ndalimin e zgjerimit të NATO-s, megjithëse Uashingtoni i ka nënvizuar fushat ku diskutimet janë të mundshme, duke ofruar shpresë se mund të ketë një mënyrë për ta shmangur luftën.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka bërë asnjë koment publik në lidhje me përgjigjen perëndimore. Lavrov ka thënë se kjo lë pak mundësi për arritjen e një marrëveshjeje, megjithëse ai gjithashtu thotë se Rusia nuk dëshiron luftë.

Udhëheqësi i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, hodhi poshtë gjithashtu paralajmërimet perëndimore për një pushtim të planifikuar.

“Në këtë kohë, ata po thonë se Rusia kërcënon Ukrainën – kjo është krejtësisht qesharake”, u citua të thoshte ai nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass. “Ne nuk duam luftë dhe nuk kemi nevojë fare për të”.

Rusia e shtyen për më vonë stërvitjen e planifikuar pranë Irlandës

Rusia tha të shtunën mbrëma se do t’i zhvendosë stërvitjet detare në brigjet e Irlandës pasi Dublini ngriti shqetësime rreth tyre.

Stërvitjet e 3-8 shkurtit do të mbaheshin 240 kilometra larg brigjeve të Irlandës jugperëndimore – në ujërat ndërkombëtare, por brenda zonës ekskluzive ekonomike të Irlandës.

Në fillim të javës së kaluar, Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney kundërshtoi lojërat e luftës, duke thënë: “Kjo nuk është koha për të rritur aktivitetin ushtarak dhe tensionin në kontekstin e asaj që po ndodh me dhe në Ukrainë”.

“Fakti që ata po zgjedhin ta bëjnë atë në kufijtë perëndimorë, apo thënë ndryshe, të BE-së, jashtë brigjeve irlandeze, është diçka që sipas mendimit tonë nuk është thjesht e mirëpritur”.

Ambasada e Rusisë në Irlandë të shtunën postoi një letër në Facebook nga ambasadori Yuriy Filatov duke thënë se stërvitjet do të zhvendosen jashtë zonës ekonomike irlandeze “me qëllim që të mos pengohen aktivitetet e peshkimit” – një koncesion i rrallë mes tensioneve.

Zelenskyy: ‘Ukraina nuk është Titaniku’

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje Perëndimit të mbetet i qetë lidhur me tensionet rreth Rusisë, pavarësisht dyshimeve se planifikon ta pushtojë vendin e tij.

“Nuk ka tanke në rrugë. Por mediat japin përshtypjen, nëse dikush nuk është këtu, se kemi një luftë, se kemi ushtri në rrugë… Nuk është kështu”, tha udhëheqësi ukrainas gjatë një konferencë për mediat e huaja pasditen e së premtes.

“Nuk kemi nevojë për këtë panik”, tha Zelenskyy, “Duhet të stabilizojmë ekonominë”.

Ai po fliste ndërkohë që përpjekjet diplomatike vazhdonin për zbutjen e krizës si rezultat i grumbullimit të forcave ruse në kufijtë e Ukrainës.

Temperatura është rritur një shkallë që nga e mërkura kur Uashingtoni dhe NATO refuzuan kërkesat e Moskës për garancitë e sigurisë në Evropë.

“Mundësia e sulmit ekziston, nuk është zhdukur dhe nuk është më pak serioz se në vitin 2021”, por “ne nuk shohim ndonjë përshkallëzim më të madh se ai që ekzistonte vitin e kaluar”, tha Zelenskyy.

Presidenti ishte kritik ndaj mediave ndërkombëtare dhe “madje edhe ndaj disa udhëheqësëve të respektuar shtetesh”, të cilët do t’i bënin njerëzit të besonin se tashmë kishte një luftë në të gjithë vendin, “se ka trupa që përparojnë në rrugë. Mirëpo, diçka e tillë nuk po ndodh”, shtoi ai.

‘Perëndimi po injoron shqetësimet kryesore të Rusisë’, thotë Putin

“Përgjigjet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nuk i kanë marrë parasysh shqetësimet kryesore të Rusisë”, tha Kremlini pas një telefonate një orëshe të premten midis Vladimir Putinit dhe homologut të tij francez Emmanuel Macron.

“Çështja kryesore është injoruar, domethënë se si SHBA dhe aleatët e tyre llogarisin në… zbatimin e parimit sipas të cilit askush nuk duhet ta përforcojë sigurinë e saj në dëm të vendeve të tjera”, tha presidenti rus, sipas deklaratës së Kremlinit.

Ai shtoi se Rusia “do të vendosë lidhur me reagimin e saj” pasi t’i studiojë detajet e përgjigjeve nga rivalët e saj gjeopolitikë.

Pallati Elysée i dha një shkëlqim pozitiv thirrjes, duke thënë se Macron dhe Putin ranë dakord për “domosdoshmërinë e një de-përshkallëzimi” dhe për “dialogun” që duhet vazhduar lidhur me krizën në Ukrainë.

“Presidenti Putin nuk shprehu asnjë qëllim ofendues… ai tha shumë qartë se nuk po kërkonte konfrontim”, tha zyra e Macron.

Presidenti francez ka biseduar gjithashtu me homologun e tij ukrainas të premten në mbrëmje.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje Perëndimit të qëndrojë i qetë për tensionet me Rusinë, pavarësisht dyshimeve se Rusia planifikon ta pushtojë vendin e tij.

“Ne nuk kemi nevojë për këtë panik” sepse “ne duhet të stabilizojmë ekonominë” e ish-republikës sovjetike, tha udhëheqësi ukrainas gjatë një konference për mediat e huaja të premten pasdite.

Në anën tjetër, pavarësisht mesazheve që dolën nga Moska duke minimizuar mundësinë e luftës, udhëheqësi bjellorus Llukashenko tha se vendi i tij do të luftojë përkrah Rusisë në rast të ndonjë konflikti.

Ai tha se do të mirëpriste “qindra mijëra” ushtarë rusë në vendin e tij nëse Bjellorusia ose Rusia sulmoheshin, për ta “mbrojtur këtë tokë”.

Pentagoni: Putini ka opsione të shumëfishta

Pentagoni tha të premten se udhëheqësi rus kishte fleksibilitet të plotë kur bëhej fjalë për opsionet ushtarake.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Putini mund të përdorë çdo pjesë të forcës së tij prej rreth 100,000 trupash për të pushtuar qytete dhe “territore të rëndësishme” të Ukrainës ose për të ndërmarrë veprime pa një pushtim të plotë.

Ekziston gjithashtu mundësia e “akteve detyruese ose akteve provokuese politike” si njohja e territoreve të shkëputura brenda Ukrainës.

“Ndërsa ne nuk besojmë se presidenti Putin ka marrë një vendim përfundimtar për t’i përdorur këto forca kundër Ukrainës, ai tashmë e ka të qartë aftësinë për ta bërë këtë. Dhe ka shumë opsione në dispozicion të tij,” tha Austin në një konferencë shtypi në Pentagon, duke i kërkuar udhëheqësit rus t’i de-përshkallëzojë tensionet.

Të enjten, presidenti i SHBA Joe Biden i tha Zelenskyy-t në një telefonatë se “kishte një mundësi të veçantë që rusët mund ta pushtonin Ukrainën në muajin shkurt”, sipas zëdhënëses së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Emily Horne.

Ajo përsëriti paralajmërimet e fundit të Biden-it teksa tensionet janë në rritje e sipër rreth ngritjes së trupave nga Rusia në kufirin e Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të enjten se përgjigja nga SHBA – dhe një e ngjashme nga NATO – la “pak terren për optimizëm”.

Por ai shtoi se “ka gjithmonë perspektiva për të vazhduar dialogun, është në interesin tonë dhe të amerikanëve”.

Ukraina ‘nuk ka kundërshtime’ lidhur me qëndrimin e SHBA-së

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Kievi e kishte pasur qasje në përgjigjen e SHBA-së përpara se të dorëzohej në Rusi dhe nuk kishte kundërshtime lidhur me të. Ai shkroi në Tëitter se ishte “e rëndësishme që SHBA të mbetet në kontakt të ngushtë me Ukrainën para dhe pas të gjitha kontakteve me Rusinë”.

Në një vizitë në Danimarkë, Kuleba theksoi nevojën e vendit të tij për ta forcuar mbrojtjen e tij.

“Kjo krizë është një moment i së vërtetës dhe kjo është arsyeja pse ne flasim për armët”, tha ai. “Kjo është arsyeja pse ne flasim për sanksione ekonomike. Kjo është arsyeja pse ne flasim për pozicionin e konsoliduar të të gjithëve ne, në mënyrë që Presidenti Putin të shohë se nuk ka hallka të dobëta në zinxhirin tonë mbrojtës”.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha gjatë një debati parlamentar për Ukrainën se qeveria e saj po koordinon ngushtë politikën e saj me aleatët dhe po shqyrton një sërë opsionesh që mund ta përfshijnë edhe gazsjellësin e ri rus Nord Stream 2 për në Gjermani./Euronews