Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi për qeverisjen e Kurtit: Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit, Albin Kurti për këto tri vite qeverisje.

Sipas tij, Kurti gjatë tri viteve në qeverisë ka qenë kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së.

“Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim. Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë. Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë. Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare- ” ka shkruar Krasniqi në Facebook, të mërkurën, 14.02.2024.

Ndërsa ka thënë se Qeveria Kurti i ka sjell Kosovës stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi e të tjera.

“Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën”- ka shtuar ai.

Ai ka thënë se përbuzja është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa.