Krasniqi (PDK): Kurti do duhej të ishte në Tiranë, jo në Irlandën e Veriut duke mbajtur ligjërata boshe

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që nuk ka shkuar fizikisht në Tiranë, por ka zgjedhur të paraqitet vetëm virtualisht në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës.

“Pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla”- ka shkruar ai.

Kreu i PDK-së e ka quajtur këtë veprim si papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet parësore të Kurtit.

“Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian”- ka theksuar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, me këtë qasje të kryeministrit, “Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen”.

“Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane. Kryeministër, kthjellu!”- ka shtuar ai.

Më tej, Krasniqi thotë se në Tiranë në samitin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor po zhvillohet samiti, në të cilin fokusi është në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit.

“Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar”- ka thënë mes tjerash kryetari i PDK-së.

Ndonëse në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, që po mbahet më 29.02.2024 në Tiranë, nuk shkoi fizikisht por vendosi të paraqitet vetëm virtualisht, kryeministri Albin Kurti po e vazhdon vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka theksuar se për shkak të angazhimeve të mëparshme, kreu i ekzekutivit kosovar në samit do të jetë vetëm virtualisht, përmes një video-adresimi.“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”- tha Kryeziu për KALLXO.com.

Kryeziu konfirmoi se Kurti po e vazhdon vizitën në Mbretërinë e Bashkuar, të nisur më 23.02.2024. Zëdhënësi i ZKM-së tha se për agjendën dhe takimet që kryeministri do të zhvillojë atje, do të ketë njoftime gjatë ditës.

Kurti udhëtoi për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar më 23.02.2024, me ministrin e Financave, Hekuran Muratin.