Krasniqi me bashkëpartiakë vizitojnë familjarët e ish-krerëve të UÇK-së: Dielli do të lind përsëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, së bashku me zyrtarë tjerë të partisë kanë zhvilluar vizita në familjet e ish-krerëve të UÇK-së të cilët para 3 vjetësh u dërguan në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi “simbolizojnë forcën, kurajën dhe frymëzimin i cili ka përbashkuar një popull”.

“Heronjtë janë më shumë se individë – pa çka se bartin emra të përveçëm. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre, simbolizojnë forcën, kurajon dhe frymëzimin i cili ka përbashkuar një popull”- ka shkruar ai.

“Pavarësisht nga muret dhe kufizimet, shembulli dhe emri i tyre në mënyrë të pashmangshme i tejkalon ato dhe shkëlqen mbi Kosovë, duke ndriçuar rrugën për brezat që do të vijnë”- ka shkruar tutje ai.

Sipas tij, sot, është obligimi ynë që ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën e tyre për shtetndërtim e fuqizim të kombit tonë.

“Tre vjet kaluan, e mund të kalojë edhe ndonjë tjetër, mirëpo një gjë është e sigurt: Dielli do të lind përsëri”- ka shkruar Krasniqi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi nuk e kanë pranuar fajësinë.