Foto: video screenshot
Mbytja e dy të rinjve nga Kosova në Shëngjin, Policia e Lezhës jep detaje për rastin
Pas raportimit për tragjedinë në Shëngjinë, ku dy të rinj nga Kosova u mbytën në det, Policia e Lezhës ka dhënë detaje për këtë rast.
Sipas komunikatës të cilën e ka ndarë me KALLXO.com, Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shqipërisë, rreth orës 16:30, policët kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Kështu, menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.” – njofton Policia shqiptare.
Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë e ka konfirmuar se dy prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa tre shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.” – kanë shtuar nga Policia.
Tragjedi në Shëngjin, mbyten dy të rinj nga Kosova