Ura e Ibrit, 13.06.2023. Foto:KALLXO.com

KQZ pranon kërkesa për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë kërkesa për shkarkimin e kryetarëve të etnisë shqiptare në komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KALLXO.com tregon se kërkesat i pranuar më 5 dhjetor përmes email-it.

Elezi shton se KQZ njoftoi kërkuesit që t’i drejtohen kryesuesit të Kuvendit Komunal si autoriteti kompetent.

“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, deklaroi Elezi për KALLXO.com.

Pas largimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në komunat veriore me shumicë serbe u organizuan zgjedhje për kryetarë komunash dhe kuvende komunale. Këto zgjedhje u bojkotuan nga komuniteti serb.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të komunave, Lulzim Hetemi nga LVV u zgjodh kryetar i Komunës së Leposaviqit, Izmir Zeqiri nga PDK u zgjodh kryetar i Zubin Potokut, Ilir Peci i PDK-së u zgjodh kryetar i Zveqanit dhe Erden Atiq nga LVV u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e ka parë si zgjidhje afatgjate zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

Që nga koha e zgjedhjes së tyre, nga ndërkombëtarët u kërkuan zgjedhje të reja dhe pjesëmarrje edhe të komunitetit serb atje.

Ndonëse nga Qeveria e Kosovës u treguan të hapur për zgjedhje të reja, u refuzua kërksa për dorëheqjen e këtyre kryetarëve.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nr. 02/2023 për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e Kryetarit të Komunës nga Funksioni, qytetarët me të drejtëve vote kanë të drejtë të marrin iniciativën për shkarkimin e kryetarit. Kërkesa për shkarkimin e kryetarit duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote si dhe mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet me vullnetin e lirë të qytetarëve.