KQZ njofton për adresat e 19 qendrave të votimit për zgjedhjet e nesërme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate ka njoftuar qytetarët me të drejtë vote në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për 19 lokacionet e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Prej tyre, 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Në këtë link gjeni 19 qendrat e votimit.

Gjithashtu, KQZ-ja ofron edhe mundësinë që përmes makinës kërkuese https://eomp.kqz-ks.org/ mund ta mësojnë online qendrën e tyre të votimit duke shënuar vetëm numrin personal të identifikimit.

Sipas KQZ-së, në këtë makinë kërkuese janë përditësuar të dhënat e listës votuese në përputhje me vendimin e KQZ-së për miratimin e listës së qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre, i datës 14 prill 2023.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe –Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok  do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen.

Më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.