KQZ, mbledhja më 25.08.2025 - Foto: Antigonë Isufi
KQZ merr vendim për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence” në Graçanicë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence” në Graçanicë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur më 25.08.2025.
Sipas anëtarit të PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, kërkesa është bërë nga votuesit të Komunës së Graçanicës, banues në lagjen “Marigona Residence”.
Sipas KQZ-së, zyrtari Ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Graçanicë ka bërë vlerësimin e objektit shkollor “International School of Prishtina – ISP” që ndodhet në këtë lagje dhe se i njëjti mund të përdoret për Qendër Votimi.
Nga të dhënat që u prezantuan në mbledhje nga KQZ, shërbimi votues ka bërë analizimin e të dhënave të votuesve që janë banorë të kësaj lagje dhe rezultaton se mbi 260 votues caktohen për të votuar në këtë qendër të re të votimit, me kod 3414.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e kaluara, këta votues kanë qenë të caktuar të votojnë në Qendrën e Votimit 3408 – Sh.F.M.U. “Miladin Mitić”, në fshatin Preoc në një distancë rreth 3 km.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025