Ilustrimi: Kallxo.com

KQZ: Afati për koalicione parazgjedhore mbaron më 30 gusht

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë caktuar të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Në kuadër të organizimit, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë disa vendime për këto zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke iu përshtatur ditëve që janë në dispozicion të KQZ-së për të organizuar këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

“Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Buxheti i planifikuar për këto zgjedhje është në shumën prej 5 milion e 698 mijë e 486 euro. Kërkesa buxhetore do t’i përcjellet gjatë ditës së martë Qeverisë së Republikës të Kosovës, ndërsa kryeshefi ekzekutiv i SKQZ-së, z. Enis Halimi kërkoi që alokimi i mjeteve të bëhet sa më shpejtë që është e mundur, për të filluar me procedurat, sepse në të kundërtën nuk mund të nisë asnjë procedurë që ka të bëjë me procesin zgjedhor”, thuhet tutje në njoftim.

Disa prej vendimeve të marra sot nga KQZ përfshijnë edhe afatin për aktivitetet që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore brenda 40 ditëve.

Deklarimi për mospjesëmarrje në zgjedhje të partive politike deri më 31 gusht, afati për koalicione të partive politike fillon më 27 gusht dhe mbaron me 30 gusht 2019, aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 27 gusht dhe përfundon me 7 shtator. Shorti për fletëvotimit do të mbahet më 17 shtator etj.