Ilustrim

Kosova mëson kundërshtarët në rast se kualifikohet në Kupën e Botës 2026

FIFA ka hedhur shortin për ndeshjet e Kupës së Botës në Uashington të Amerikës të premten, më 05.12.2025.

Edhe pse në pritje nëse do të kualifikohet ekipi i Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se cilat janë shtetet, me të cilat mund të ndeshet Kosova.

Bëhet fjalë për grupin D në të cilin janë kundërshtarët e mundshëm të Kosovës si: Amerika, Paraguaj dhe Australia. Kupa e Botës do të mbahet nga 11.06.2026 deri më 19.07.2026, në të cilën garojnë 48 skuadra.


Dardanët do të udhëtojnë në Bratislavë më 26.03.2026 për t’u përballur me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale të plajofit, të cilën duhet ta fitojnë patjetër për t’i mbajtur gjallë shpresat për një finale që do ta çonte në Botëror.

Finalen e mundshme, Kosova do ta zhvillonte në Prishtinë kundër fituesit të përballjes tjetër mes Turqisë dhe Rumanisë, më 31.03.2026.

Pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës në Bazel në shtator, trajneri i verdhekaltërve, Franco Foda, e pranoi se ekipi i tij u paraqit dobët në mbrojtje në një formacion sulmues 4-3-3 dhe vendosi të ndryshojë qasje dhe taktikë.

“Sot, megjithëse kishim shumë duele, i humbëm ato vendimtaret dhe kjo ndikoi në rezultatin final. Kundër Suedisë këtë gjë duhet ta bëjmë shumë-shumë më mirë”- tha ai pas humbjes.

Foda pastaj ndryshoi skemën dhe kaloi në një formacion klasik 4-4-2 në përballjen e radhës me Suedinë tri ditë më vonë në Prishtinë, duke luajtur futboll mbrojtës, falë të cilit Kosova shënoi dy herë me kundërsulme. Taktikat e tij kryen punë dhe Kosova mori fitoren e parë në Grupin B kualifikues, 2:0.

Pas një paraqitjeje jo shumë të pëlqyer në barazimin pa gola kundër Sllovenisë në ndeshjen pasuese në shtëpi, Kosova i fitoi dy ndeshjet e radhës kundër Suedisë (1:0) dhe Sllovenisë (2:0) për ta siguruar plajofin, pasi iu qëndroi besnike taktikave të Fodës.

Ajo barazoi 1:1 me Zvicrën në ndeshjen e fundit në grup në nëntor, duke grumbulluar në fund 11 pikë në vendin e dytë, mjaftushëm për ta kapur plajofin, pasi Zvica u kualifikua direkt.

Kosova ia ndien erën kualifikimit në Kupën e Botës 2026 një dekadë pas pranimit në FIFA