Kosova humb 2-0 nga Rumania              

10-minutëshi i fundit i ndeshjes ishte fatal për kombëtaren e Kosovës në përballjen me Rumaninë në Bukuresht në kuadër të kualifikimeve për kampionatin EURO 2024.

Kosova ka humbur me rezultat 2-0 nga Rumania.

Golat u shënuan në minutat ’83 dhe ’93 nga kapiteni rumun Nicolae Stanciu dhe Valentin Mihaila.

Para këtyre golave, Rumania kishte humbur një penallti, e cila u mbrojt nga portieri i Kosovës, Aro Muric.

Sulmuesi kryesor kosovar, Vedat Muriqi, u largua në minutën e 42-të pasi mori karton të kuq.

Kjo ndeshje ishte ndërprerë për më shumë se 45 minuta pas thirrjeve dhe pankartave nacionaliste nga tifozët rumunë, të cilët brohorisnin “Serbia, Serbia” dhe kishin shkruar “Kosova është Serbi”.

Me fitoren e sontme Rumania është në pozitën e dytë në Grupin I me 12 pikë.

Ndërsa Kosova me 4 pikë është në vendin e pestë, e parafundit.

Grupin e kryeson Zvicra me 14 pikë.