Kosova e hapur dhe pa mbrojtje ndaj propagandës ruse

Në 22 vjetët e pasluftës në Kosovë, Rusia ka qenë ndër kundërshtarët më të mëdhenj të shtetit të Kosovës.

Përveç luftës politike e diplomatike, Rusia vazhdon të sfidojë Kosovën edhe përmes propagandës dhe përmbajtjes së rreme, të prodhuar nga mediat e kontrolluara nga Qeveria ruse, thonë hulumtuesit e politikave në Kosovë.

Sipas tyre, këto media që veprojnë në rajon, vazhdimisht prodhojnë përmbajtje të rreme që ka për qëllim krijimin e narratives se Kosova është vend kriminal dhe se është vetëshpallur shtet, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Nga shtatori i vitit 2001 e deri më 12 gusht 2021, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë janë publikuar gjithsej 835 materiale në të cilat përmendet Kosova.

Në të shumtën e rasteve këto materiale janë deklarata të ministrave dhe zyrtarëve rusë që mohojnë shtetësinë e Kosovës, dënojnë akte të dhunës ndaj minoritetit serb në Kosovë, trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe si dhe akuzojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim dhe shitje të organeve.

Në një nga publikimet, më 26 mars 2021, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, akuzon kosovarët për krime të kryera ndaj serbëve në vitet 1998-’99.

“Duke vepruar nën mbulimin e agresionit të NATO-s, militantët nga e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kryen krime të tmerrshme, duke përfshirë rrëmbimin e serbëve, organet e të cilëve më pas u hoqën dhe u shitën”, deklaroi Zakharova më 26 mars 2021.

Në një deklaratë tjetër të datës 17 qershor 2021, ajo akuzon SHBA-në se po armatos një forcë ushtarake shqiptare në Kosovë, e që sipas saj, përbën potencial të shpërthimit të konfliktit në rajon.

“Ideja e Uashingtonit është të krijojë një ‘ushtri’ në atë territor, që është një shkelje e drejtpërdrejtë dhe e hapur e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB –së”, deklaron ajo.

Në nëntor 2020, Ministria e Jashtme e Rusisë mes tjerash, lavdëroi Dhomat e Specializuara të Kosovës pas arrestimit të ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në këtë ueb-faqe ka dhjetëra komunikata dhe deklarata të tjera që kontestojnë shtetësinë e Kosovës dhe që kontestojnë rolin e shteteve perëndimore, në ruajtjen e paqes dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

Kosova pa përgjigje ndaj luftës së Rusisë

Përveç luftës politike dhe diplomatike që Rusia i bën Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), në një raport të publikuar në mars 2021, ka identifikuar se mediat e kontrolluara nga Rusia, janë mjaft aktive në prodhimin e propagandës kundër Kosovës.

“Sidomos Sputnik Serbia, Sputnik International dhe Rusia Today (RT) janë në rend të parë sa i përket propagandës dhe dezinformimit ndaj Kosovës”, thotë autori i këtij hulumtimi, Lulzim Peci nga KIPRED.

Peci thotë se pas analizës së veprimeve të Rusisë në raport me Kosovën, mund të konstatohet se politika zyrtare e Kremlinit që nga shpallja a pavarësisë së Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare, ka për qëllim të ndërtojë narrativen se shpallja e pavarësisë bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe se Kosova është shtet kriminal dhe ekstremist.

“Tentojnë ta portretizojnë Kosovën si ‘quasi’ shtet dhe shtet kriminal që bënë dhunë ndaj komunitetit lokal serb, Kishës Ortodokse, që është një çerdhe e ekstremizmit islamik, e kështu më radhë”, thotë Peci.

Në shumë prej reagimeve zyrtare të Qeverisë ruse si dhe të zyrtarëve qeveritar rusë, përgjatë viteve, akuzohet komuniteti ndërkombëtar që përmes ndërhyrjes së NATO-s, mundësoi çlirimin e Kosovës, e që më vonë çoi në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

“Qëllimi i [propagandës ruse] nuk është vetëm Kosova në vetvete, por këtu kemi të bëjmë edhe me diskreditimin e rolit të Perëndimit në paqe dhe siguri në Ballkan, por edhe në vetë shtetësinë e Kosovës”, thotë Peci.

PE: Disa media në Kosovë i krijuan hapësirë propagandës ruse

Në një raport tjetër të Parlamentit Evropian, i publikuar këtë vit, thuhet se ndikimi i propagandës dhe keqinformimit të sponsorizuar nga Rusia në Kosovë, është më i vogël se në vendet tjera në rajon si në Serbi, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Megjithatë, sipas këtij studimi, as Kosova nuk është imune ndaj informatave dhe lajmeve të rreme.

Ky raport i publikuar në muajin shkurt me titull “Identifikimi i lajmeve të rreme dhe keqinformimit në Ballkanin Perëndimor si dhe gjetja e mënyrave me efektive për luftimin e tyre”, identifikon faktin se si mediat kosovare marrin në shumë raste deklarata dhe shkrime nga mediat në Serbi dhe i paraqesin si qëndrime kundër Kosovës. REL