Konjufca për kuvendin zgjedhor të Listës Serbe: Maskaradë e inskenim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka komentuar kuvendin e djeshëm zgjedhor të Listës Serbe.

Sipas Konjufcës ajo që ndodhi dje është një tentativë e kësaj partie për t`u distancuar nga sulmi terrorist i 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

“Dje ajo ishte maskaradë që ndodhi, ishte një proces krejtësisht i inskenuar, zgjedhjen e kryetarit tjetër për arsye që ata po mendojnë që Lista Serbe mund t’i lajë duart pas 24 shtatorit, nuk mundesh me u fsheh pas kësaj”- tha Konjufca.

Sipas Konjufcës institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes në shqyrtimin e ligjshmërisë për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet që pritet të mbahen në 4 komunat veriore.

“Radoiçiqi është nënkryetar de-jure, së paku ishte nënkryetar de-jure i Listës Serbe por të gjithë e dimë që ka qenë kryetar de-facto i saj, prandaj përgjegjësia është e drejtpërdrejte. Prandaj institucionet e Kosovës vet Listën Serbe duhet ta shqyrtojnë me kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike, dhe të drejtës për të garuar në zgjedhje”- theksoi ai.

Konjufca theksoi se aspekti i sigurisë do të jetë një nga elementet kyçe të institucioneve të Kosovës për organizimin e zgjedhjeve në veri.

“Ky është një proces i cili kërkon kohë, nuk mund të bëhet shpejt e shpejtë, dhe mendoj që aspekti më i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhme është ai i sigurisë, ne do të krijojmë shumë siguri do ta konsolidojmë sistemin e sigurisë që këto zgjedhje të mund të mbahen”- tha ai.

Lista Serbe dje ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor në të cilin ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e saj. Drejtori i spitalit në veri të vendit, Zlatan Elek është zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe.

Kuvendi zgjedhor në këtë parti vie pas vendimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në 4 komunat veriore.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka dhënë dorëheqje nga funksionet brenda kësaj partie pasi mori përgjegjësinë për sulmin terrorist më 24 shtator 2023.

Lista Serbe prezanton strukturën e partisë, thotë se do të punojnë në koordinim me Beogradin