Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca: Ekipi menaxhues përfaqësoi interesat e Serbisë, mirë që Qeveria e shkarkoi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar punën e ekipit menxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke thënë se është lajm i mirë që ata tani më janë shkarkuar nga Qeveria e Kosovës.

“Mu më pëlqeu shumë dhe jam në favor të aktit të Qeverisë për t’i shkarkuar ekipin menaxhues, sepse një grup, një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandar Vuqiçit e jo interesat e popullit tonë, që ka sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria nuk ka çka të kërkojë në pozicione zyrtare edhe nuk ka se si të përfaqësojë popullin edhe qytetarët e Kosovës” – tha Konjufca.

Konjufca fajësoi qeveritë paraprake që kanë bërë një ekip menaxhues i cili sipas tij ‘përfaqëson interesat e Serbisë’.

“Ekipi menaxhues, i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për ne. Meqenëse atje i prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Pra, po e shini edhe vetë se çfarë ekipe menaxhuese edhe çfarë institucione kanë vendosur qeveritë e mëparshme” – tha ai.

“Kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës, bile bile njëra prej tyre, me sa dëgjova ishte pas bërë deputete në Parlament të Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandar Vuçiqit” – vazhdoi Konjufca.

Sipas tij, ka qenë e pritshme që ata do të propozojnë një draft i cili do të jetë i papranueshëm për palën kosovare.

“Kështu që nuk patëm ne çka të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues. Ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili është një Republikë Serbe brenda Kosovës. Kjo natyrisht që është e papranueshme për Qeverinë tonë, për institucionet tona” – tha ai.

Konjufca komentoi edhe propozimin e kryeministrit Albin Kurti për ‘vetmenaxhimin’.

“Me sa e pashë e prezantoi një vizion për cilat janë ato vijat e kuqe, cili është horizonti i një asociacioni të mundshëm në Kosovë, ai do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën tonë. Por, unë jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë, kjo nuk është diçka që është e pranueshme për Serbinë, prandaj unë konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë largëta, të papajtueshme mes palëve” – tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, në një të ardhme të afërt Kosova dhe Serbia nuk mund të arrijnë pajtueshmëri për çështjen e Asociacionit.

“Andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizmit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit, prej viteve 90-ta”- tha ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm të draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 2 maj u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim u prezantua nga ky ekip drafti i statutit të Asociacionit, për të cilin kryeministri Kurti tha është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10” – ka deklaruar Kurti.

Nikoqiri i këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

“Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe siç pritej këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket asociacionit”- ka thënë Borrell.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti sot ka bërë publik një draft-version të tij sesi mund të rregullohet ‘vetmenaxhimi’ i komunitetit serb në Kosovë.

Kurti prezanton versionin e tij për ‘vetmenaxhimin’