Kurti prezanton versionin e tij për 'vetmenaxhimin'

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar ‘draft-versionin’ e tij për të për të rregulluar çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë, pasi që ka thënë se fundamentalisht nuk pajtohet me draftin e propozuar dje nga ekipi menaxhues.

“Sot, Ekipi menaxhues prezantoi draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ata janë jonfunksionalë tashmë. Unë fundamendalisht nuk pajtohem me draftin. Ai përfaqëson dëshirë për Republika Sërspka në Kosovë”, ka shkruar Kurti duke publikuar në fotografi vizionin e tij për implementimin e nenit 7 të Marrëveshjes bazë për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”- ka shkruar Kurti në twitter.

Ky është versioni i publikuar nga Kurti:

  • Të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë;
  • Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit;
  • Të nxisë një projekt joterritorial, ku të gjithë serbët në Kosovë do të përfaqësoheshin funksionalisht (duke u mbështetur në të drejtën e votës dhe parimet e parapara në Kapitullin III, nenet 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës) në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin dhe mbi bazën e të cilave, të gjithë serbët në Kosovë realizojnë të drejtën e tyre për asociim të lirë për të mbrojtur apo avokuar për të drejtat dhe qëllimet politike, kombëtare, kulturore, sociale, ekonomike dhe të tjera;
  • Do të sigurojë kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, ndër të tjera, përmes pjesëmarrjeve në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve;
  • Do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia, të cilat të gjitha duhet të kalohen përmes procedurave dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave të Kosovës;
  • Do ta parashohë mundësinë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, duke përfshirë komunat, për qëllimet e mbështetjes së punës dhe misionit të tij për anëtarët e tij;
  • Do t’i njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës, sikurse respektimi i pavarësisë, sistemi unitar institucional, integriteti territorial i Republikës dhe do të kontribuojë në realizimin e plotë të saj në praktikë
  • Do t’i shfrytëzojë ligjet aktuale për të ofruar mundësi për të ushtruar shërbime të caktuara jofitimprurëse, duke themeluar asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe edukimit si dhe asociacione studimi dhe të tjera për shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb
  • Do ta parashohë procedurën për t’u regjistruar me organin përgjegjës të Qeverisë së Kosovës për administrimin dhe procedurat e përgjithshme për përputhshmëri me ligjet në fuqi të Kosovës;
  • Do të sigurojë dhe promovojë respektin për pluralizmin politik, të drejtën e fjalës, lirinë e asociimit dhe të drejtën për ta mbrojtur lirshëm identitetin politik dhe fetar të serbëve në Kosovë.

Në fund, si zotim shoqërues, duke u bazuar në frymën thelbësisht liberale të Marrëveshjes Bazë, e cila, në preambulë thekson se “mbrojtja e minoriteteve kombëtare është kusht themelor për paqe”, ky projekt duhet të personifikojë vendosmërinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë që të mbeten të sinqerta dhe të angazhuara për të siguruar që komunitetet e tyre përkatëse joshumicë plotësojnë të njëjtat standarde për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standarde që i kanë të përbashkëta shoqëritë demokratike dhe të bashkuara, e të cilat askënd nuk e lënë prapa.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”- ka shkruar ai në Facebook.

 

Ministri Krasniqi liron nga detyra ekipin menaxhues për draftin e Asociacionit