Konfiskohet edhe një armë zjarri që u përdor në ditën e zgjedhjeve në Skenderaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se konfiskuar një pisoletë me gas, e cila dyshohet u përdorë nga një 21 vjeçar në fshatin Qirez të Skenderajt.

Sipas policisë, me datën 17 tetor 2021, rreth orës 20:33, përkatësisht në ditën e zgjedhjeve lokale është pranuar informata, për të shtëna me armë zjarri në fshatin Qirez.

Policia me të pranuar informatën ka shkuar në vendngjarje ku ka gjetur dy gëzhoja, të cilat edhe janë konfiskuar si provë materiale.

“Njësia e hetimeve pas një pune operative hetimore kanë arritur ta identifikojnë kryerësin e veprës E.S., 21 vjeçar, ku me datën 19.10.2021 rreth orës 11:10, policia ka  shkuar në shtëpinë e të dyshuarit në fjalë, ku është takuar prindi i tij i cili e ka dorëzuar armen, e cila dyshohet që është përdorur nga i dyshuari”, thuhet në njoftimin e Policisë së Mitrovicës.

Policia si provë materiale ka konfiskuar një pistoletë me gas e llojit EKOL Special dhe një karikator të zbrazet.

I dyshuari E.S., 21 vjeçar, ka mbetur që në kohen më të shkurtër, të paraqitet në stacionin policor Skenderaj për procedura të mëtutjeshme, rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “ Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

KALLXO.com raportoi sot se Policia e Kosovës ka arrestuar një 55-vjeçar, pasi dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri, duke festuar pas zgjedhjeve lokale, në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku  kanë gjetur dhe sekuestruar 18 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.

Gjithashtu, të dielen u raportua një 33-vjeçar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë gjatë kësaj feste.