Komuna e Vushtrrisë anulon tenderin rreth 600 mijë euro për punësim të konsulentëve pas "vërejtjeve" të KRPP-së

Komuna e Vushtrrisë ka anuluar tenderin në vlerë rreth 600 mijë euro për kontraktimin e 40 konsulentëve. Tenderi i shpallur në muajin mars është anuluar pas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, i cili ka potencuar se angazhimi i konsulentëve për shërbime të veçanta duhet të bëhet bazuar në dy nene dedikuar për këtë çështje.

“Duke u bazuar në Rregulloren për Prokurim Publik, nenin 43 – Ndërprerja e procedurave së prokurimit, konkretisht në nenin 43, pika 5 (i), si dhe duke u bazuar në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik me nr. 43/2024 të datës 27.05.2024” – thuhet në njoftimin për anulimin e tenderit të Komunës së Vushtrrisë të datës 30.05.2024, për tenderin me 40 lote.

Përmes këtij tenderi Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të angazhojë konsulentë në fushën e prokurimit, kulturës, specialistë të radiologjisë, konsulentë për zyrën e kryetarit, konsulentë në fushën e infermierisë, konsulentë në fushën e bujqësisë, digjitalizimit, administratës, arkitekturës, planifikimit hapësinor, legalizim, konsulentë në fushën e psikoterapisë, në fushën e edukimit fillor për fëmijë me aftësi të kufizuar, etj.

Edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e ka konfirmuar për KALLXO.com më 30.05.2024 se tenderi është anuluar pas mendimit të marrë nga Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

“Pasi Drejtoria e Prokurimit ka marrë mendimin e KRPP-së, anulohet tenderi për konsulentë”- ka thënë Ferit Idrizi për KALLXO.com.

Më 27.05.2024, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka dalë me njoftim. Duke u thirrur në nenet  57.2 dhe 57.3 të Rregullores për Prokurim Publik, kanë kërkuar që të gjithë Zyrtarët Përgjegjës të Prokurimit të Aurotiteteve Kontraktuese në Kosovë, t’i kryejnë aktivitetet e prokurimit për shërbime të veçanta (konsulentë/kontaktorë individual) vetëm në pajtim me këto dy nene.

Sipas nenit 57.2 të Rregullores për Prokurim Publik, “paragrafët e këtij neni aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta, të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për zyrtarët Publikë”.

Ndërsa sipas nenit 57.3 të Rregullores për Prokurim Publik, “shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale të kategorive dhe profesionave të veçanta, për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë, por të cilat shërbime nuk mund t’i plotësojnë me stafin që ka” brenda institucionit.

Në këtë njoftim të KRPP-së për ashtu përmendet edhe neni 57.4 i Rregullore së Prokurimit Publik, në të cilën thuhet se “Konsulenti/kontraktori individual është një specialist në një fushë specifike, i angazhuar nga Autoriteti Kontraktues, në rolin e një këshilluesi”.

KRPP- ja tutje u ka tërhequr vërejtjen të gjithë Zyrtarëve Përgjegjës të Prokurimit, që të ndëmarrin veprime konkrete me qëllim që të përmbushin detyrimet ligjore gjatë realizimit të aktiviteteve të prokurimit për shërbime të veçanta.

“Në të kundërtën, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik sipas kompetencave që ka, mund të veprojë pa paralajmërim të mëtutjeshëm për të zbatuar provizionet ligjore konform nenit 25.8 të LPP-së”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e KRPP-së.

Tenderi me vlerën e parashikuar prej 591,841 mijë euro ishte shpallur nga Komuna e Vushtrrisë më 18.03.2024. Lidhur me këtë tender, Instituti “Demokarci Plus” kanë thënë për KALLXO.com se Komuna e Vushtrrisë qëllimisht ka insistuar në angazhimin e konsulentëve duke e shkelur kështu ligjin.

“Shkelja konsiston në faktin se ky lloj i procedurës, pra angazhimi i ekspertëve / konsulentëve bëhet vetëm për pozita të cilat nuk janë të parapara në katallogun e punës dhe organogramin, por LPP (Ligji për Prokurim Publik) nuk lejon përdorimin e kësaj procedure kur është fjala për pozita të rregullta, siç është rasti me këtë tender”- ka thënë Ardit Dragusha nga ky institut.

Shpalljen e këtij tenderi, Komuna e Vushtrrisë e ka arsyetuar për nevojat e domosdoshme për kategori dhe fusha të caktuara.

“Arsyeja pse kemi kërku këtë lloj rekrutimi përmes tenderimit, janë nevojat e domosdoshme për kategori dhe fusha të caktuara dhe shumë të ndjeshme”- ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, për KALLXO.com më 30.05.2024.

Sips Idrizit, 25 prej këtyre konsulentëve kanë nevojë të anagzhohen për 25 fëmijë me aftësi të kufizuaar, pasi për secilin prej tyre kërkohet nga një asistent, e për të cilët sipas tij, Ministria e Arsimit deri tani ka angazhuar vetëm pesë asistentë të tillë.

I pari i Vushtrrisë më tej ka thënë se mungesa e kuadrove në Drejtorinë e Urbanizmit dhe të Inpeksionit ka shtuar nevojën e inicimit të tenderit për këta konsulentë.

“Drejtoria e Urbanizmit është në prag të bllokimit, në mungesë të arkitektëve dhe inxhinierëve, pasi që tre herë shpallen konkurse dhe nuk ka kandidatë (paga e ulët), andaj, kemi mendu të rekrutojmë konsulentë përmes tenderimit”- ka shtuar Idrizi.

Nga Insituti “Demokraci Plus” kanë thënë se nevoja për këta konsulentë nuk justifikohet me shkeljen e ligjit.

“Pavarësisht arsyetimit të Komunës se kanë nevojë për këto kuadro, gjë e cila mund të jetë e vërtetë, nuk justifikohet shkelja e ligjit me përdorimin e kësaj procedure. Në këtë situatë, komuna duhet të anulojë këtë tender dhe të shpallë konkurse të rregullta për këto pozita”- ka deklaruar Dragusha nga “Demokraci Plus”.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për zyrtarët publikë, punësimi i ekspertëve/konsulentëve bëhet përmes tenderëve në kohëzgjatje deri në 36 muaj.

“Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në nenin 84 të Ligjit për Zyrtarë Publik që flet për ‘marrëveshjet për shërbime të veçanta” – thuhet në këtë ligj.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta të cilat kanë hyrë në fuqi më 22 shtator 2020.

Rregullat e hartuara nga KRPP aplikohen vetëm për prokurimin e Shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë. Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka.