Qyteti i Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Komuna e Lipjanit shpenzoi paratë e ndara për COVID-19 në mirëmbajtje të rrugëve

Komuna e Lipjanit ka shpenzuar buxhetin e ndarë nga qeveria për situatën me COVID-19 në obligime tjera.

Mbi 60 mijë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës, që duhej të shfrytëzoheshin për situatën me COVID-19, u përdorën për mirëmbajtje të infrastrukturës rrugore.

Kjo është potencuar në  raportin e auditimit të Komunës së Lipjanit, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2020.

“Dy nga mostrat e testuara nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, pagesa në vlerë 50 mijë euro si dhe pagesa prej 12,634 euro, janë të paguara nga kategoria e mjeteve që ishin të dedikuara për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Pagesa në vlerë 50 mijë euro e datës 11 dhjetor 2020, ka të bëjë me kontratën “Mirëmbajtja e infrastrukturës, rrugëve të asfaltuara dhe trotuareve në Komunën e Lipjanit”, kurse pagesa në vlerë 12,634 euro e datës 26 nëntor 2020, ka të bëje me kontratën “Zhavorimi i rrugëve të kategorisë së katërt në Komunën e Lipjanit”.

Në vitin 2020,  komunat e Kosovës janë mbështetur me 10 milionë euro për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Komunës së Lipjanit nga kjo shumë i janë ndarë mjete në vlerë 216,809 euro, e të cilat janë kërkuar të alokohen në programin për infrastrukturë publike.

Në raportin e ZKA-së thuhet se, kjo ka ndikuar në zvogëlimin e shumës së shpenzuar për qëllimin për të cilin janë alokuar këto mjete dhe gjithashtu raportim jo të saktë të të dhënave në pasqyrat financiare për shpenzimet sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Sipas ZKA-së, Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Lipjanit, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme

Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Lipjanit e gjeni këtu.