Kompania e afërt me LDK-në fitoi tenderë në vlerë mbi 2 milionë euro nga Komuna e Pejës

Një kompani e afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) i ka fituar shtatë tenderë në vlerë të përgjithshme prej 2 milionë e 422 mijë euro në Komunën e Pejës. Të gjithë tenderët kompania “Lugjet e Verdha” i fitoi brenda një periudhe kohore prej dy vitesh.

LDK udhëheq me Komunën e Pejës që nga viti 2013. Në krye të kësaj Komune është Gazmend Muhaxheri, nënkryetar i partisë të cilës i prin Isa Mustafa, LDK-së.

Gjatë kësaj vere, Muhaxheri emëroi drejtor të Administratës Rexhep Kurtbogajn. Kompania e babait të tij, Idriz Kurtbogaj, fitoi shtatë tenderët në Komunën e Pejës.

Vetë pronari i kompanisë “Lugjet e Verdha”, Idriz Kurtbogaj ka thënë se familjarisht e tradicionalisht votojnë LDK-në.

 

Kurtbogaj shihet i afërt me partinë e Gazmend Muhaxherit edhe nëpër postimet që i bën në rrjetin social Facebook. Në fakt, ai është shumë aktiv kur vjen koha e zgjedhjeve lokale, shihet nëpër shumë aktivitete të LDK-së në Pejë.

Idriz dhe Rexhep Kurtbogaj
Idriz dhe Rexhep Kurtbogaj

“Po, Rexhepin e kam djalë. Me të tregu drejtën, kështu nuk jam anëtar i LDK-së, veç djali është anëtar. Na familjarisht e kemi votu LDK-në”, ka thënë Idriz Kurtbogaj në një bisedë për KALLXO.com.

Por, ai ka mohuar se partia e cila është në pushtet në Komunën e Pejës e ka ndihmuar që t’i fitojë mbi 2 milionë euro tenderë. Ai tha se plotësimi i kritereve e kanë nxjerrë si fitues.

“Jo more çfarë, LDK nuk na ndihmon me i marrë tenderët, me të tregu të drejtën, tenderët i kanë kriteret e veta edhe në bazë të kritereve kemi dal fitues”, deklaroi ai.

Tenderët e fituar nga kompania e Idriz Kurtbogajt janë kryesisht për shtrim të rrugëve në rajonin e Rugovës. Por një ishte edhe për shtrimin e ujësjellësit për fshatin Bogë në zonën turistike.

Disa prej tenderëve që ka fituar kompania “Lugjet e Verdha” janë edhe në grup operatorësh ekonomikë. Ndërsa, periudha e shtatë tenderëve të fituar është nga viti 2018-2020.

Por, dhënien e tenderëve për kompaninë e babait të drejtorit të Administratës e ka arsyetuar i pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ai në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se kompania e Idriz Kurtbogajt ka marrë tenderë edhe në të kaluarën, sa ai nuk ka qenë shef i ekzekutivit lokal.

“Ky operator është i trashëguar prej kohës së Aleancës, domethënë projektet e para, ose krejt kompanitë që aplikojnë në Komunën e Pejës i kam të trashëguara. Nuk është asnjë operator që ka ardhë prej kur jemi ne në pushtet dhe u bë i privilegjum”, ka thënë Muhaxheri. “Ky është njëri prej operatorëve më të mirë në ndërtimin e rrugëve në Rugovë”, tha ai.