Komiteti për kompleksin në Prekaz, Kurti: Do ta realizojmë projektin me të gjitha elementet përbërëse

Sot është mbajtur mbledhja e parë e Komitetit ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Siç njofton kryeministri Albin Kurti, ai sot në këtë mbledhje tha se tërësia e monumenteve të një vendi, janë historia e tij në imazh publik, imazh i lexueshëm ngado.

Kurti tha se janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij projekti por shtoi se do të jenë maksimalisht të kujdesshëm.

“Deri tani puna e komisioneve, bordeve dhe artistëve ka qenë e shpërndarë. Emrat e rrugëve, shkollave dhe institucioneve të tjera, marrin përsipër të thonë edhe historinë e vendit, edhe historinë e veprimtarive specifike që kryen një popull e një shoqëri. Së bashku me monumentet, bustet, statujat, komplekset memorialë kanë për qëllim t’i japin peshë historike të përditshmes sonë”, ka thënë Kurti.

“Por, ajo që kemi parë të realizohet deri tani është shpesh privatizimi i personaliteteve dhe ngjarjeve historike. Ky privatizim nuk ka ardhur vetëm nga ndjeshmëria e organizatave të ndryshme, por dhe nga neglizhenca e institucioneve në përgjithësi, jo vetëm nga dëshira e të afërmve për të parë të rimëkëmbet vlera e dëshmorit apo patriotit, por edhe nga shpejtësia me të cilën ngrihet një emër dhe ngadalësia për një emër tjetër patrioti.  Familja Jasharaj, bëma e saj historike, vetëmohimi i saj radikal, janë gurthemeli historik për sjelljen tonë në të gjitha kohërat që do të vijnë. Por, më shumë se kaq, vetëmohimi i familjes Jasharaj është një shembull botëror i flijimit për liri në çdo cep të botës”, thuhet tutje në postimin e Kurtit.

Kreu i ekzekutivit shtoi se janë të përkushtuar të realizojmë projektin me të gjitha elementet përbërëse duke filluar nga pjesa e varrezave.

“Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij projekti, prandaj do të jemi maksimalisht të kujdesshëm. Do t’u japim kohë procedurave, por kohë nuk do të humbim. Jemi të përkushtuar të realizojmë projektin me të gjitha elementet përbërëse: pjesën e varrezave, konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin veror bashkë me objekte përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për Gardën ceremoniale të FSK-së, vend parkingun, parkun e Kompleksit Memorial “Adem  Jashari” në Prekaz, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari,  përfshi edhe shtëpitë e familjes Jashari dhe objekte tjera të nevojshme”, ka thënë Kurti.

Anëtarë të këtij Komiteti Ndërministror, janë: Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Bekim Jashari, Kryetar i Komunës së Skenderajt, Emin Lati, përfaqësues nga OVL e UÇK-së, drejtori i  Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës; Bislim Zogaj, drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla, drejtori i Institutit Albanologjik; Hysen Matoshi dhe Arbër Sadiki, përfaqësues nga Shoqata e Arkitektëve.