Komisioni parlamentar për buxhet diskuton për pagat dhe shpenzimet e deputetëve

Kërkesa e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit dhe kompensimin e shpenzimeve ka përplasur sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, opozitën dhe pushtetin.

Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës tha se paga dhe mëditja e deputetëve të caktohet përmes ligjit të pagave.

“Nuk kemi asnjë arsye sot qe për shkak të një grupi parlamentar ne të caktojmë mëditjen e deputetëve, pse ky grup parlamentar (LVV) po dëshiron me aktualizu. Të vendoset paga e deputetit në ligjin e pagave, të ketë një kapitull të veçantë. Atëherë diskutojmë për ligjin e pagave në tërësi”, tha deputeti i PDK-sw, Ferat Shala.

Të njëjtin mendim shprehu edhe Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai tha se është pro sanksionimit të deputetëve që mungojnë në seanca dhe komisione parlamentare.

“Duhet të presim ligjin e pagave, nuk mund të ndryshojmë pagat tona me një vendim Ad-Hoc. Unë jam që të bëhet fiks paga dhe të sanksionohet mungesa e deputetëve. Ne si AAK jemi që kjo çështje të trajtohet me ligjin e pagave”, tha Pal Lekaj.

Ndërkaq, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se LVV duhet të jetë më konkrete në propozimin e saj.

“Ka dy vjet që udhëhiqni me Kuvendin dhe një me qeveri. Propozimi nga LVV ka ardhur pas presionit publik. Nuk e keni propozim-vendim, po të ishit serioz ne do ta kishim këtë material te premten. Ju e keni shumicë edhe në këtë komision, e dini ju vet se si keni kaluar gjëra kur kanë qenë në interesin tuaj”, tha Hoti.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i LVV-së, Enver Haliti i cili tha se ‘nuk është hera e parë’ që  partia që ai i takon bënë një propozim të tillë.

Ndaj kërkesës së LVV për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit dhe shpenzimeve reagoi edhe deputetja, Duda Balje.

Ajo madje kërkoi sqarime se pse një pikë e tillë është duke u diskutuar.

Balje theksoi se duhet pasur një propozim konkret dhe një analizë për këtë kërkesë.

Ndërsa, Armend Muja nga LVV tha se në javën e ardhshme kjo parti do të ketë një propozim-vendim konkret në lidhje më këtë çështje.