Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist protestojnë në përkrahje të punëtoreve që mirëmbajnë Kuvendin e Kosovës
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kanë mbajtur protestë para Kuvendit të Kosovës më 20.09.2024, në shenjë të përkrahjes së punëtoreve teknike të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me shënimet “Këto gra punojnë edhe kur janë smutë”, “Deputetët rrogën 2000 euro, punëtorët teknikë 275 euro”, “Punëtoret nuk janë mall”.
Përfaqësuesja e Kolektivit, Fjolla Muqaj tha se këto punëtore punojnë në kushte të tmerrshme me paga të vogla e presion psikologjik.
“Jemi mbledh sot për ta shprehur solidaritetin tonë për punëtoret teknike të Kuvendit të cilat e kanë bojkotu punën në kërkim të kushteve me të mira. Ato kanë tregu që punojnë në kushte të tmerrshme, me presion të vazhdueshëm psikologjik, dërrmim fizik e emocional, paga të mjerueshme e orar të zgjatur. Ato punojnë vetëm më 275 euro në muaj. Punëdhënësi i tyre nuk i qet kontributet që u takon. I përsërisim këto kërkesa pagë mujore 555 euro, pagë të rregullt, kushte pune të dinjitetshme, në i mbështesim këto kërkesa dhe përpjekjen e tyre për kushte me të mira” – ka thënë Muqaj.
KALLXO.com nga vendi i ngjarjes mëson se përfaqësues të grevisteve janë duke mbajtur një takim më nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e sindikatës së punëtorëve privat Jusuf Azemi dhe këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli.
Që e hëna (16.09.2024), punëtoret e Kuvendit të Kosovës që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave të institucionit qendror dhe hapësirat tjera, kanë rinisur grevën për rritjen e pagave.
Të njëjtat protestuan edhe më 09.07.2024, megjithatë sipas tyre, kërkesat hasën në vesh të shurdhër.
Këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli më 18.09.2024, ka njoftuar se kabinet i kryeparlamentarit inkurajojmë stafin e mirëmbajtjes të vazhdojnë kërkesat kundrejt operatorit ekonomik me të cilin kanë edhe marrëdhënie pune.
“Çështja e pagës është obligim i operatorit ekonomik si punëdhënës dhe stafit si punëmarrës. Pagesa apo mos pagesa e kontributeve është ekskluzivisht obligim i Administratës Tatimore të Kosovës. Kurse Kuvendi i Republikës së Kosovës obligohet që para nënshkrimit të çdo kontrate të kërkojë dëshmi se aplikusi është tatim pagues i rregullt”- ka thënë ai.
Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kishin protestuar në korrik që t’i rritet paga në rreth 500 euro.
Punëtoret që mirëmbajnë Kuvendin e Kosovës grevojnë për rritje të pagave